1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kushtetuta e re e Serbisë: Kosova pjesë e territorit serb

Eduard Nembach2 Tetor 2006

Parlamenti serb të shtunën (30.09) përmes një procedure të përshpejtuar miratoi kushtetutën e re, në të cilën statusi i Kosovës përcaktohet "si një komponente e pandashme" e Serbisë. Kryeministri Koshtunica me këtë hap donte të siguronte hapësirë veprimi në politikën e brendëshme në sfondin e rrymave radikale-nacionaliste, që po intensifikohen ndërkohë në Serbi.

https://p.dw.com/p/ArcB
Vojislav Koshtunica
Vojislav KoshtunicaFotografi: AP

Pas një mbledheje maratonë të shtunën në mbrëmje njëzëri u miratua nga deputetët kushtetuta e re. Kryeministri Vojislav Koshtunica vuri në dukje, se ai tekstin e kushtetutës ua shpërndau deputetëve të shtunën në mëngjes, ndërsa në seancën plenare ai deklaroi: "Me kushtetutën e re Serbia është një vend i organizuar nga ana ligjore dhe në të vërtetë vulos, që Kosova ka qenë, është dhe do të mbetet pjesë përbërëse e territorit serb."

Ndërsa presidenti Boris Tadiç shtoi: "Ne sot po bëjmë një hap të madh përpara krahasuar me Serbinë e viteve 90-të. Kushtetuta e re nuk është ideale, por ajo është padyshim më e mirë se ajo e mëparshmja."

Pas parlamentit në fund të muajit duhet që edhe populli serb të votojë për kushtetutën. Të paktën gjysma e shtetasve me të drejtë vote duhet të marrë pjesë në votime. Eshtë e paqartë nëse edhe rreth 2 milionë shqiptarët në Kosovë që ndërkohë administrohet prej OKB-së kanë të drejtë vote, ndonëse është e sigurt që referendumi do të bojkotohet në Kosovë. Në Prishtinë kjo lëvizje e Beogradit perceptohet si provokim. Aq më shumë në kohën që po vazhdojnë bisedimet për statusin e ardhshëm. Këshilli i Sigurimit synon që mundësisht brenda këtij viti të bihet dakord për një zgjidhje.

Që Kosova në plan afatgjatë s´duhet të qeveriset prej Beogradit, këtë e kanë bërë mëse të qartë përfaqësuesit ndërkombëtarë. Kjo i ka krijuar vështirësi kryeministrit të Serbisë, aq më shumë që radikalët në të gjitha anketimet kryesojnë. Për këtë arësye kushtetuta e re është si çlirim për kryeministrin, që njëkohësisht ndodhet edhe nën presionin e Brukselit lidhur me çështjen e Mlladiçit të kërkuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës.