Kush lind si mysliman duhet të vdesë i tillë? | Evropa | DW | 29.11.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Kush lind si mysliman duhet të vdesë i tillë?

Nëse dikush ndërron nga feja e krishterë në atë islame nuk bëhet shumë zhurmë. Por krejt ndryshe ndodh në rastin e kundërt

Dialog kulturash?

Dialog kulturash?

Kush lind si mysliman mbetet i tillë, të paktën sipas të drejtës islame. Një mysliman që guxon të ndërrojë besimin jeton në rrezik, veçanërisht nën një rregjim mysliman si ai i Iranit, por edhe në Gjermani. Megjithatë ka njerëz të cilët kanë kurajo të ndryshojnë nga islamizmi në krishtërim.

Meshë në një famulli në Köln. Një grua lutet. Rreth 20 besimtarë të tjerë janë mbledhur në rradhët e stolave prapa saj dhe përsërisin me mend lutjen e gruas. Kjo nuk është një bashkësi e zakonshme të krishterësh. Këtu takohen të krishterë persë, ish myslimanë të cilët kanë ndërruar fe duke u bërë të krishterë.

Shumica e tyre kanë prapa kohë të vështira - luftë të brendshme, frikë nga shtypja dhe humbja e kontaktit me familjen. Për shumë kjo është tashmë pjesë e historisë dhe jetës së tyre sot. T'i kthesh krahët islamizmit është një proces i vështirë. Pjesa më e madhe e anëtarëve të këtij komuniteti e kanë mbajtur për vite me rradhë mbi supe këtë vendim. Edhe pse nga frika ata duan të mbeten anonimë, të konvertuarit nuk e mbajnë të fshehtë motivacionin e tyre.

"Kur lexon biblën shpirti qetësohet. Nëse lexon Kuranin atëherë të hyn frika. Nëse nuk bëj këtë apo atë gjë, çfarë do të ndodhë? Nëse nuk mbaj shami koke atëherë shkoj në ferr. Në fenë islame gratë nuk gëzojnë thuajse asnjë të drejtë." - thotë një e konvertuar.

Sipas vlerësimeve të organizatave për të drejtat e njeriut dhe kishave, në Gjermani ka rreth 6.000 të konvertuar, të cilët kanë ndërruar nga feja myslimane në atë të krishterë. Mendohet se më shumë se gjysma e tyre janë iranianë. Famulltari Kutzner kujdeset për shpirtin e të krishterëve persë në Gjermani: "Në Europë është vendim personal zgjedhja e kësaj apo asaj feje apo e asnjë besimi. Kjo është natyrisht ndryshe në një sfond islamik ku feja dhe politika janë të ndërthurura shumë më tepër nga sa jemi mësuar në Europë. "

Në Republikën Islamike të Iranit besimi dhe feja ashtu si në vendet e tjera myslimane janë pjesë e çështjeve publike. Kush del nga feja shtetërore, islamizimi, bën tradhëti të lartë dhe ndaj shtetit. Për të mbështetur këtë qëndrim të tyre, qeveria dhe udhëheqësit fetarë në rregjimin iranian i referohen Kuranit. Atje shkruhet:"Nëse ndryshoni atëherë ajo ju sulmon dhe ju vret kudo që të jeni." Sharia, ligji i Zotit, kërkon dënimin me vdekje për të konvertuarit. Sipas të drejtës islame çdo mysliman ka të drejtë të vrasë një të konvertuar. I konvertuari nuk gëzon asnjë të drejtë ligjore.

Nga frika të konvertuarit mund ta jetojnë besimin e tyre vetëm në heshtje. As miqve dhe familjes nuk mund t'u tregojnë. I kovertuari Babak ka ndërruar nga feja islame në atë të krishterë përpara 14 vjetësh në Iran. Që atëherë ai ka patur vazhdimisht frikë për jetën: "Isha vazhdimisht i vëzhguar, në punë dhe jashtë saj. Kur ndryshimi i besimit u bë i njohur u arrestova nga qeveria dhe u rraha me kamzhik. Në punë më bojkotonin thuajse plotësisht. Askush nuk fliste më me mua. Të gjithë kishin frikë se mund të ndesheshin me të njëjtat probleme. Dikur vështirësitë në Iran u shtuan aq shumë sa vërtet e kisha të pamundur të qëndroja atje më gjatë. Besoj se po të kisha qëndruar më gjatë, sot nuk do të jetoja."

Të konvertuarit në Iran mund të praktikojnë fenë në mënyrë shumë të kufizuar. Ata mund të takohen vetëm në kisha që egzistojnë në ilegalitet, të ashtuquajturat komunitete shtëpish, kryesisht në banesa private të të konvertuarve. Sipas të dhënave të organizatave për të drejtat e njeriut, në Iran ekzistojnë ndërkohë rreth 100 komunitete të krishtera shtëpish. Në famullinë perse në Köln pjesa më e madhe janë pagëzuar vetëm pasi kanë ardhur në Gjermani. Por edhe këtu ata ndeshen me paragjykime dhe kërcënime nga fanatikë fetarë.

Sot në Iran dënimi me vdekje për të konvertuarit thuasje nuk urdhërohet më me vendim gjykate. Shpesh ai kryhet nga një familjar i cili kërkon të lajë kështu turpin e familjes. Edhe në Gjermani ka patur raste të tilla megjithë lirinë e besimit thotë një punonjës i Shoqatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Frankfurt: "Për fat të keq ka edhe në Gjermani vrasje të të konvertuarve në komunitetin iranian. Askush nuk e si sa është numri i këtyre vrasjeve pasi ashtu si në rastin e të ashtuquajturave vrasje për arsye nderi ato kamuflohen si aksidente në shtëpi apo aksidente me makinë. Ka që thonë se numri i vrasjeve të të konvertuarve në Gjermani arrin pesë në vit."

Megjithë frikën të konvertuarit nuk heqin dorë nga besimi i tyre. Nga myslimanët ata kërkojnë të njohin përkatësinë fetare si çështje private. Myslimanët në Europë që përfaqësojnë qëndrime të moderuara nuk i vënë aspak rëndësi detyrimit për t'iu përmbajtur fesë islame.

Mounir Azzaoui nga Këshilli Qëndror i Myslimanëve në Gjermani e konsideron jashtë kohe detyrimin për fenë islame: "Në të vërtetë në traditën islame ka sinjale që flasin se liria fetare nuk është e lejuar. Por kjo duhet parë në kontekstin kohor dhe në kohën e Profetëve mundësia e ndryshimin të fesë nuk egzistonte. Sot jetojmë në një situatë krejt tjetër dhe për këtë arsye duhet të jetë plotësisht e mundur që feja islame të praktikohet por edhe të hiqet dorë prej saj."

Ky këndvështrim nuk ndahet megjithatë nga disa prej myslimanëve në Gjermani dhe para së gjithash nga shunë qeveri myslimane. Në Iran situata për të konvertuarit është ashpërsuar edhe më shumë që prej ardhjes në post të konservatorit të linjës së ashpër, Presidentit Mahmud Ahmadinexhad.

  • Data 29.11.2006
  • Autor Monika Vosough Mohebbi
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar9d
  • Data 29.11.2006
  • Autor Monika Vosough Mohebbi
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar9d