1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kush fiton nënshtetësinë duke mashtruar mund të ndëshkohet me heqjen e saj!

Bernd Wolf25 Maj 2006

Gjykata kushtetuese gjermane vendos kundër një ish-nigeriani, i cili gjatë procesit të marrjes së nënshtetësisë kishte bërë të dhëna të rreme

https://p.dw.com/p/Ar0U
Fotografi: picture-alliance / dpa/dpaweb

Gjykata kushtetuese gjermane ishte pyetur: A mund t'i hiqet dikujt nënshtetësia gjermane, sepse e ka fituar atë nëpërmjet të dhënave të rreme? Kjo është e mundur vendosën sot gjykatësit në Karlsruhe.

Ankesa në gjykatën kushtetuese e ish-nigerianit Benjamin O. për arsye të heqjes së nënshtetësisë gjermane dështoi. Gjykata kushtetuese vendosi që kur dikush e fiton nënshtetësinë duke mashtruar, nuk mund të kërkojë as mbrojtjen e ligjit themeltar. Në kundërshtim me të vërtetën afrikani kishte pretenduar gjatë marrjes së nënshtetësisë se kishte punë dhe mund ta mbante familjen e tij, përveç kësaj ai u mor edhe me tregti droge. Si pasojë qyteti Pforcheim i mori në 2002-in pasaportën gjermane të fituar dy vjet më parë. Me të drejtë, siç shpjegoi presidenti i senatit Vinfried Hasemer:

"Heqja e nënshtetësisë së fituar në rrugë antiligjore me anë të mashtrimit, si me rryshfet apo përmes kërcënimit, nuk dëmton as interesin e ligjshëm të të prekurit e as të atyre që e kanë fituar nënshtetësinë pa kryer shkelje të tilla."

Do të thotë: Një mashtrues nuk duhet trajtuar aq mirë sa dikush tjetër që bëhet gjerman në mënyrë të ndershme. Senati i hetoi imtësisht përcaktimet e ligjit kushtetues dhe bëri para së gjithash një interpretim historik, sipas Hasemer. Aq më shumë që ai e ndalon parimisht heqjen e nënshtetësisë, por këtë ndalim e ka futur, sipas tij në kushtetutë, politika perfide e nazistëve. Marrjen e nënshtetësisë me mashtrim nuk mund ta kishte përfytyruar atëherë askush, u shpreh Hasemer. Gjykatësja Gertrude Lipe-Volf shpreson tek efekti paralajmërues i vendimit:

"Një rend ligjor serioz nuk mund të shpërblejë mosrespektimin e vetes. Përndryshe ai krijon joshje për shkeljen e ligit dhe minon kështu parakushtet për efikasitetin e vet."

Edhe fakti që Benjamin O. është tani pa nënshtetësi mbështetet në ligj. Ndalimi për t'i hequr dikujt nënshtetësinë vlen vetëm për persona që u është hequr nënshtetësia kundër vullnetit, por nigeriani e dinte se ç'po bënte dhe duhet ta priste heqjen. Sipas gjykatës kushtetuese, vendimi është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Kodi gjerman i procedurave administrative mjafton për një heqje të nënshtetësisë brenda një kohe të shkurtër, si në rastin e Benjamin O.-së me dy vjet. Ligjvënësi duhet të krijojë një rregullore të veçantë vetëm për rastet kur koha është më e gjatë apo kur nga heqja e nënshtetësisë për mashtruesin preken persona të papërfshirë si bashkëshortë apo fëmijët.

I pakënaqur ishte me vendimin avokati i afrikanit, Hajnrih Maul, por të paktën ai nuk do të dëbohet:

"Mirë, klienti im është i martuar me një shtetase gjermane, pra ai do të mund të jetojë këtu. Megjithatë problemi më i madh është e leja e punës, të cilën ai nuk e fitoi dhe me gjasa është shumë vështirë që ta fitojë. E vetmja gjë që mund të bëjmë për të është të angazhohemi që atij t'i jepet leja e punës."