Kush do të bëhet pasardhësi i Kolin Pauellit?
16 Nëntor 2004Shtëpia e Bardhë ende hesht, por shumë kanale televizive amerikane deklaruan se kanë informacione mëse të sigurta se Condoleezza Rice, këshilltarja e presidentit për çështjet e sigurisë kombëtare, do të bëhet pasardhësja e Kolin Pauellit. Rice ka kaluar gjatë 4 viteve të fundit më shumë kohë me Bushin se të gjithë politikanët e tjerë. Richard Haass, këshilltar politik dhe ish drejtor në ministrinë e jashtme amerikane, është i bindur se Rice do të bëhet ministre e jashtme:
"Condoleeza Rice ka shumë eksperiencë dhe mbi të gjitha një marrëdhënie shumë të ngushtë me presidentin. Askush tjetër nuk mund të ofrojë më shumë se kjo grua" - thotë ai.
Ndërkohë që nominimi i Rice ende nuk është konfirmuar, të hënën u publikua deklarata zyrtare për një dorëheqje.
"I dashur zoti President". Kështu fillon letra zyrtare që gjenerali 67 vjeçar i drejton presidentit Bush. Kjo letër u formulua të shtunën dhe pasi ministri i jashtëm bisedoi me të gjithë kabinetin e tij, ai doli të hënën përpara mikrofonit dhe e bëri publike dorëheqjen nga posti i minsitrit të jashtëm amerikan. Ai foli mbi 8 minuta mbi 4 vitet e kaluara si ministër i jashtëm dhe theksoi edhe njëherë se:
"Unë doja të rrija vetëm për një periudhë legjislative si ministër i jashtëm dhe ne të dy, pra presidenti Bush dhe unë kemi muaj që bisedojmë se ç´do të ishte zgjidhja më e mirë."
Por flitet se Pauell donte të rrinte disa muaj më gjatë minisitër i jashtëm, sidomos tani pas vdekjes së Arafatit, ku më në fund po fillon një lëvizje drejt përmirësimit të gjendjes në Lindjen e Afërt. Po sipas këtyre thashethemeve, Shtëpia e Bardhë nuk e pranoi kërkesën e tij. Por zëdhënësi i qeverisë Scott McClellan, nuk flet asnjë fjalë mbi këtë:
"Bisedat mes Bushit dhe Pauellit janë shumë private. Kolin Pauell e morri vetë këtë vendim dhe i bëri publike arsyet e tij."
Në një letër, Bushi shkruan se Pauell i ka shërbyer shumë mirë shtetit. "Ai do të na mungojë", thotë presidenti.
Ndërkohë Pauell thotë:
"Unë nuk i kam thënë presidentit se dua të rri më shumë kohë në këtë post. Ne e dinim shumë mirë se ku do të ndaheshin rrguët tona."
Nëse Bushi do të deklarojë sot zyrtarisht se këshilltarja e tij Rice, do të jetë pasardhësja e Pauellit, atëherë Alberto Gonzalez, i cili do të jetë pasardhësi i ministrit të drejtësisë John Ashcroft, do të ketë afër një njeri tjetër te besueshëm të Bushit. Ka njerëz që thonë se presidentit mund t´i bëjnë dëm kaq shumë njerëz të besueshëm rreth e rrotull.
6 nga 16 antarët e kabinetit qeveritar kanë dhënë ndërkohë dorëheqjen, gjë që nuk do të thotë se qeveria amerikane do ta ndryshojë politikën e saj gjatë 4 viteve të ardhshme.