1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kundër racizmit dhe padrejtësisë - Demonstratë e madhe në SHBA

Leon Stebe16 Tetor 2005

Mbi 150.000 njerëz, shumica amerikanë me ngjyrë në fundjavë (15./16.10.) protestuan në Uashington kundër racizmit dhe varfërisë. Demonstruesit udhëtuan nga një sërë shtetesh federale drejt kryeqytetit të SHBA për të protestuar kundër nënvleftësimit social të zezakëve. Në shkallët e kapitolit dhjetra personalitete e morrën fjalën duke dënuar racizmin e vazhdueshëm dhe varfërinë në SHBA.

https://p.dw.com/p/ArNl
Lui Farrakan, drejtuesi i "Kombi i Islamit" duke folur përpara kapitolit

Ishin yjet e hip-hopit, si Viklif Xhen dhe dhjetra perosnalitete të tjera mbrojtës të të drejtave të njeriut, që u ngjitën për të protestuar në shkallët e kapitolit. Ata protetstuan bashkë me dhjetra mijëra njerëz të tjerë për të drejtat e popullsisë zezake. Ata vinin nga të gjitha anët e SHBA dhe kishin udhëtuar deri në Uashington me vetura, autobusë dhe trena.

Lui Farrakan e organizoi këtë demonstratë. Ai është udhëheqësi i organizatës "Kombi i Islamit", Furrakan nuk u rezervua aspak në deklratat e tij. Në fjalimin e tij ai akuzoi qeverinë e SHBA, se e la në baltë popullsinë zezake pas uraganit "Katrina": "Unë besoj fort, se nëse njerëzit nëpër çatitë e Nju Orleansit do të kishin qenë me flokë të verdhë, me sy bojë qielli dhe me lëkurë të bardhë, atëherë do të ish vepruar më shpejt. Ne akuzojmë Amerikën se ka lënë pasdore dhënien e ndihmës."

Farrakan has në kritika për shkak të fjalëve të ashpra që përdor. Kundërshtarët e akuzojnë atë, se po përçan popullsinë amerikane duke i armiqësuar palët. Në të kundërt shumë zezakë e konsiderojnë atë si vizionar. Ideja e tij është: të bashkojë grupet e zezakëve kundër dominancës së bardhë: "Ne dëshirojmë të drejta të barabarta, mbrojtje të njëjtë, ashtu siç e meriton çdo amerikan. Nëse nuk do të na jepet drejtësi, atëherë do ta marrim vet timonin në dorë. Por nëse ju e merrni timonin tonë, atëherë ne kërkojmë të njëjtën drejtësi, që u jepet edhe të bardhëve. Ne e kërkojmë dhe e meritojmë këtë."

Shumë zezakë e pasojnë Farrakanin, sepse ata e ndjejnë veten të nënvleftësuar. Përgjatë rrugëve të qendrës së Uashintonit ata këndojnë dhe u bien trompetave për të drejtat e tyre: "Ne nuk duam paratë apo mëshirën e qeverisë. Ne duam një komb, të krijojmë një komb, në të cilin ne të jemi të pavarur dhe t´i ndërtojmë vet shkollat tona, bashkësitë tona dhe të forcojmë fqinjësitë tona në aspektin ekonomik."

Pikërisht dhjetë vjetë më parë janë ngritur të njëjtat kërkesa nëpërmjet një marshimi të madh, marshimi i "një milion burrave". Asokohe demonstruan qindra mijëra vetë në Uashington të udhëhequr po nga Lui Farrakan. Organizatorët u bënë thirrje zezakëve që të marrin përgjegjësinë mbi vete për përmirësimin e kushteve të jetesës për familjet e tyre dhe për jetën nëpër komunat e tyre.

Qysh prej asaj kohe nuk ka ndryshuar gjë për zezakët në SHBA. Ndaj ata që protestuan sivjet shpresojnë para së gjithash një gjë: që kësaj here manifestimi të jetë më shumë se një marshim proteste. Ata shpresojnë që paskëtaj të vihet diçka në lëvizje.