Kubis: Është koha që BE-ja të marrë përgjegjësitë në Kosovë
5 Dhjetor 2007Sllovakia kërkon një zgjidhje të shpejtë të statusit të Kosovës, por që zgjidhja të gjendet në kuadër të BE dhe KS. Kështu tha në Prishtinë gjatë një vizite, shefi i diplomacisë sllovake, Jan Kubis. Ai kërkoi një rol më aktiv të BE-së në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, sepse sipas tij, Kosova është pjesë e Evropës.
Kubis: Zgjidhja brenda Këshillit të Sigurimit
Kubis theksoi se rruga më e mirë akoma mbetet ajo e negociatave në mënyrë që ketë një zgjidhje kompromisi. "Ne gjithmonë kemi qenë kundër zgjidhjeve të njëanshme, prandaj është shumë e rëndësishme që zgjidhja për Kosovën të gjendet në KS-it", tha Jan Kubis. Është koha që BE-ja të marrë përgjegjësitë në Kosovë dhe sa më shpejtë të vendosë misionin me një legjitimitet të ri nga mekanizmat ndërkombëtar të vendimarrjes. Për këtë BE-ja sipas shefit të diplomacisë sllovake, është e përgatitur.
Roli i Sllovakisë
Sllovakia që nga fillimi i negociatave për zgjidhjen e statusit të Kosovës, ka pasur një qëndrim më të përmbajtur në raport me shumë shtete të BE-së për pavarësinë e mbikqyrur të Kosovës. Plani i ndërmjetësit, Marti Ahtisari, parasheh një pavarësi të mbikqyrur për Kosovën, por që të jetësohet plani, kërkohet një miratim në KS-it. Pas dështimit të negociatave shtesë Prishtinë-Beograd për statusin e Kosovës, autoritetet kosovare tashmë kërkojnë që plani i Marti Ahtisarit të legjitimohet nga mekanizmat ndërkombëtar të vendimmarrjes dhe të njihet pavarësia e Kosovës.
Shefi i diplomacisë sllovake, Jan Kubis, tha se vendi i tij është i gatshëm të shtojë numrin e trupave në Kosovë në kuadër të KFOR-it, natyrisht nëse kjo kërkohet. Ai u bëri thirrje të gjitha palëve që të jenë të përmbajtura dhe të kujdesshme në veprimet e tyre dhe theksoi se trupat e NATO-os, nuk do të tolerojnë eskalim të mundshëm të situatës së sigurisë në këtë fazë të ndjeshme të zgjidhjes së statusit final të Kosovës.