100408 Flamme San Francisco
10 Prill 2008Atmosfera në San Francisko ishte tepër e ndezur, mijëra demosntrues dolën nëpër rrugë me thirrje pro Tibetit dhe "turp për Kinën". Përmes parullave tërhiqej vëmendja për gjendjen në Tibet. Forcat e sigurisë ndërkohë kishin zënë vend përgjatë itinerarit ku do të kalonte pishtari olimpik. Madje disa policë vraponin përkrah sportistëve me qëllim të mbrojtjes së pishtarit nga turma.
Protestat ishin paqësore megjithëse vlonin nga emocionet. Zëdhënësi i një grupi studentor për Tibetin e lirë u shpreh se protestat nuk drejtohen kundër sportistëve, por kundër qeverisë kineze. Nga ana tjetër ishin mbledhur protestues pro Kinës dhe lojërave olimpike. San Francisko u nda në dy kampe. Por ajo që u harrua ishte fryma olimpike që ka shoqëruar gjithmonë rrugëtimin e pishtarit olimpik. Asnjë gjurmë nga harmonia dhe mirëkuptimi mes popujve.
"Shpresoj të jetë një rrugëtim paqësor, mbajtësit e pishtarit nuk kanë të bëjnë me protestën." thotë një demonstrues pak para fillimit të udhëtimit tradicional të pishtarit. Më pas udhëtimi ishte paqësor, por nuk mund të cilësohet i suksesshëm në vazhdën e frymës olimpike.
Rrugëtimi i pishtarit ishte si një garë e pabarabartë mes demonstruesve dhe pishtarmbajtësve, madje vetë ata që mbanin pishtarin pjesërisht nuk e dinin itinerarin. Kjo për arsye sigurie. Pas kordonëve të gjerë të sigurisë qëndronin mijëra demonstrues që prisnin pishtarin dhe sportistët, por ata u panë në pjesë të tjera të qytetit.
"Ne jemi këtu për shkak të traditës së gjatë të protestave në San Francisko. Duhet t'i bëjmë nderin të kaluarës sonë krenare. Ne nga Tibeti dhe përkrahësit tanë jemi mbledhur këtu në mënyrë paqësore dhe pa dhunë, por ne do të protestojmë direkt kundër shkeljeve të të drejtave të njeriut të Kinës në Tibet. Do të kujdesemi që ata të mos përshëndeten miqësisht kur të vinjë në qytet."
Masat e sigurisë në San Francisko ishin në nivelin më të lartë. Itinerari i pishtarit i shkurtua dhe në minutën e fundit u ndryshua tërësisht. Përkohësisht flaka olimpike zuri vend në motobarka, me qëllim që t'i ikte protestuesve. Ndërsa ceremonia finale u fshi nga programi.