1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kritikë konkrete në vend të dënimit pa dallim

Uta Thofern10 Janar 2006

Deklaratat e Merkelit për Guantanamon nuk dëmtojnë marrëdhëniet me ShBA

https://p.dw.com/p/Ar1g
Partneriteti transatlantik prioritet i politikës së jashtme gjermane
Partneriteti transatlantik prioritet i politikës së jashtme gjermaneFotografi: AP

Shtypi ndërkombëtar ka reaguar me habi pozitive ndaj deklaratave të kancelares Merkel. Merkel konsiderohej jo vetëm si mbështetëse e flaktë e trajtimit me prioritet të marrëdhënieve transatlantike në politikën e jashtme gjermane. Pas vizitës së saj në ShBA në prag të fillimit të luftës në Irak ajo shihej madje si e nënshtruar në raport me ShBA. Megjithatë kjo kthesë e papritur nuk do t'i rëndojë marrëdhëniet gjermano-amerikane pasi në vizitën e Merkelit në ShBA bëhet fjalë për shumë më tepër.

Nëse presidenti i ShBA Xhorxh Bush besonte se do ta kishte më të lehtë me Angela Merkelin se me paraardhësin e saj në post Gerhard Shrëder, atëherë është gëzuar para kohe. Merkel nuk do të jetë një partnere e lehtë dhe këtë e ka bërë të qartë më e vonta me kërkesën e saj për mbylljen e kampit të Guantanmos. Por ajo do të jetë një partnere e besueshme dhe edhe kjo është bërë e qartë që tani. Merkel mendon në mënyrë strategjike, jo taktike dhe kështu i pozicionon edhe deklaratat e saj.
Qysh në vizitën e ministres së jashtme amerikane Rice në dhjetor, Merkel bëri të qartë se për të edhe në luftën kundër terrorit parimet e shtetit ligjor kanë përparësi. Kjo kancelare nuk i ndryshon linjat orientuese të politikës së jashtme në sheshin e pazarit dhe kritikën ndaj aleatëve nuk e bën në aktivititet elektorale por fillimisht aty ku edhe e ka vendin: në takimet kokë më kokë.

Duke patur parasysh këtë, në fjalët e saj për sistemin e Guantanamos të habit vetëm një gjë: reagimi me habi i opinionit gjerman. Xhorxh Bush ka qenë me siguri i përgatitur për këtë që katër javë më parë. Ajo çfarë Merkel ka deklaruar tani publikisht është në Europë tashmë e vetkuptueshme dhe ka konsensusin e të gjithëve. Por e vërtetë është gjithashtu se Merkel është kryetarja e parë e një qeverie europiane që ngre kërkesa të qarta në çështje të caktuara, qofshin këto trajtimi i të burgosurve në Guantanamo, rrëmbimi i personave të dyshuar apo ngritja e burgjeve sekrete të shërbimit sekret amerikan, CIA. Kritikë konkrete në vend të dënimit në përgjithësi, këtë mund ta pranojë edhe një Xhorxh Bush, për më tepër pasi Merkel i lidh vërejtjet e saj gjithmonë me afirmimin e partneritetit gjermano-amerikan.

Ndërkohë që qeveria e kaluar e shfrytëzoi krtikën e saj ndaj qëndrimit amerikan në prag të luftës në Irak për të fituar simpati politike, Angela Merkel vepron me pragmatizëm. Për të kritika për çështje të caktuara dhe mbështetja politike në tërësi nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, përkundrazi: vetëm në bashkëpunim mes partnerëve është e mundur të zgjidhen konfliktet. Mbi Merkelin nuk rëndon dyshimi për anti-amerikanizëm dhe ajo e shfrytëzon lirinë e veprimit të fituar prej këtij pozicioni.
Me deklaratat kritike në prag të vizitës në ShBA ajo e ka zgjeruar edhe më fushën e saj të veprimit. Merkel lundron me erën në anën e saj drejt Uashingtonit, pa hasur në asnjë pengesë. Askush e aq më pak vetë Merkel nuk pret që qeveria e ShBA të plotësojë qoftë edhe një prej kërkesave të kancelares. Por ajo e shpreh kritikën e saj nga një pozicion i fortë, solid në Europë dhe me mbështetjen e gjerë të qeverisë dhe opinionit publik në Gjermani.

Angela Merkel ka shanse shumë më të mira se paraardhësit e saj që të merret seriozisht në Uashington. Kjo është urgjentisht e nevojshme pasi prej kohësh Gjermania nuk është në krye të listës së prioriteteve të amerikanëve dhe nën qeverisjen e Shrëderit kishte rrezik të rrëshqiste akoma më poshtë.
Për çfarëdo të jetë fjala: luftën e përbashkët ligjore kundër terrorit, bashkëpunimin me një Rusi vetëm pjesërisht demokratike apo konfliktin bërthamor të Iranit, të gjitha këto tema Gjermania dhe Europa mund t'i trajtojnë me sukses vetëm duke bashkëpunuar me ShBA dhe jo pa apo më keq akoma kundër tyre. Por Uashingtoni nga partnerët e tij pret të paktën mbështetje politike ose ekonomike në Irak nëse ajo ushtarake refuzohet. E vetëdijshme për këto fakte Merkel ka përcaktuar paraprakisht kufijtë në mënyrë që çmimi për një përmirësim të mundshëm të marrëdhënieve gjermano-amerikane të mos jetë shumë i lartë.