1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: kërkohet ligj për trajtimin e familjeve të të zhdukurve gjatë luftës

8 Tetor 2010

Zyra Civile Ndërkombëtare e udhëhequr nga Peter Faith, kërkon nga parlamenti i Kosovës që sa më shpejt të nxjerrë një ligj për trajtimin e personave të zhdukur dhe familjet e tyre.

https://p.dw.com/p/PZ61
Foto të personave të zhdukur para ndërtesës së parlamentit të Kosovës.
Foto të personave të zhdukur para ndërtesës së parlamentit të Kosovës.Fotografi: DW/B. Shehu

Përfaqësues të zyrës civile ndërkombëtare (ICO), thonë se familjet që kanë persona të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë duhet të kenë trajtim të posaçëm nga institucionet e Kosovës. Në këtë linjë shefi i zyrës civile ndërkombëtare Peter Faith ka kërkuar nga parlamenti Kosovës që të nxjerrë një ligj të posaçëm, me anë të të cilit do të trajtohet çështja e personave të zhdukur dhe familjeve të tyre. Zëdhënësi i zyrës civile ndërkombëtare, Kai Muller Berner, thotë se ky ligj duhet të pregatitet sa më shpejt.

Ligji nuk duhet të bëjë dallime në varësi të përkatësisë etnike

"Në mënyrë të veçantë, ICO beson se ligji duhet të sigurojë mbrojtjen e duhur të të drejtave të personave të pagjetur dhe të afërmve të tyre dhe duhet siguruar që gjatë zbatimit të ligjit të mos ketë kurrfarë diskriminimi kundër asnjë komuniteti. Informatat dhe të dhënat që merren sipas këtij ligji, duhet të gëzojnë të njëjtën mbrojtje dhe duhet të përdoren për qëllimin e synuar”, thotë Kai Muller Berner.

“Gjithashtu pa paragjykuar palët në dialogun e ardhshëm ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, çështja e personave të zhdukur dhe familjeve të tyre është njëra ndër çështjet më të rëndësishme për diskutim”, shton më tej Kai Muller Berner.

Familjarët që kanë persona të zhdukur thonë se ata vazhdimisht janë ndjerë të anashkaluar nga institucionet e Kosovës. Haki Kasumi, i cili udhëheq një këshill prej 22 organizatash të familjeve që kanë persona të zhdukur, thotë se ndihma për familjet që kanë persona të zhdukur duhet garantuar vetëm me ligj të posaçëm.

Haki Kasumi drejton një këshill prej 22 organizatash të familjeve që kanë persona të zhdukur.
Haki Kasumi drejton një këshill prej 22 organizatash të familjeve që kanë persona të zhdukur.Fotografi: DW/B. Shehu

“Duhet të ketë një ligj i cili do të regullonte çështjen financiare të familjeve që kanë persona të zhdukur, çështjen e të drejtës mbi trashëgiminë e tyre, statusin civil të tyre në familjen shqiptare tradicionale, kujdesin shëndetësor dhe natyrisht ato duhet të kenë përfitime të ndryshme nga shteti”, thotë Haki Kasumi.

Haki Kasumi, thotë se ky ligj duhet të përfshijë të gjitha familjet që kanë persona të zhdukur pavarësisht përkatësisë entike.

“Dhimbja për familjarin pavarësisht sjelljes, përkatësisë etnike ose qëndrimit gjatë luftës në Kosovë, ajo është dhimbje dhe si e tillë duhet të trajtohet në mënyrë institucionale”, thotë Haki Kasumi.

Ligji nuk mund të vonohet më shumë

Zyrtarë të parlamentit të Kosovës, nga ana e tyre janë të vetëdijshëm se ky ligj është dashur të nxirret shumë më herët. Ismet Beqiri, kryetar i komisionit për persona të zhdukur dhe të drejta të njeriut, thotë për programin tonë, se ligji i cili trajton familjet e personave të zhdukur tashmë është në hartim e sipër dhe shumë shpejt do të miratohet nga parlamenti.

“Këto familje të personave të zhdukur duhet ta kenë statusin e rregulluar, sepse ato si familje veç shumë halleve dhe shqetësimeve që kanë me mungesën e më të dashurve, nuk duhet që të shqetësohen edhe për ekzistencën e tyre. Shteti e ka për obligim që ta rregullojë statusin e tyre”, thotë Ismet Beqiri.

Në listat e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, figurojnë 1837 persona të zhdukur. Zbardhja e fatit të tyre pritet të jetë një nga pikat e dialogut Kosovë-Serbi edhe pse ka kohë që grupe punuese të Prishtinës dhe Beogradit, bisedojnë për këtë çështje, por rezultatet deri tani kanë qenë të pakta.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Eliana Xhani