Konturohet një zgjidhje eventuale në konfliktin atomik me Iranin | Politika | DW | 26.02.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Konturohet një zgjidhje eventuale në konfliktin atomik me Iranin

Përfaqësues të Iranit dhe të Rusisë parimisht ranë dakord për një procedim të përbashkët për pasurimin e uranit. Ideja është që urani iranian të pasurohet në tokën ruse. Detajet ende nuk janë publikuar dhe gjatë ditëve të ardhëshme do të vazhdojnë konsultimet në Moskë.

Bisedimet ruso-iraniane në Teheran

Bisedimet ruso-iraniane në Teheran

Rusia është për Iranin një partnere e rëndësishme: si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë ushtarak e politik. Ndaj pati peshë vizita triditore në Teheran e Sergej Kirjenkos, shefi i Agjencisë Atomike ruse.

Rusia nuk dëshiron që Këshilli i Sigurimit të vendosë sanksione ndaj Iranit, një masë e tillë do të prekte edhe industrinë atomike dhe atë të armatimit në Rusi. Ndaj Rusia përpiqet t´i krijojë një urë të artë Iranit për të kapërcyer mosbesimin ndërkombëtar kundrejt programit atomik iranian. Irani duhet, që procesin delikat të pasurimit të uranit, që mund të përdoret edhe për ndërtimin e bombës atomike, ta zhvendosë nëpërmjet një joint venture në Rusi. Të dielën Sergej Kirijenko deklaroi, se është rënë dakord në parim: "Sipas mendimit tonë s´ka më as probleme organizative dhe as financiare për themelimin e një firme të përbashkët."

Pra Irani është i gatshëm që bashkë me rusët të pasurojë uranin në tokën ruse. Megjithatë, shtrohet pyetja, a është ai i gatshëm të heqë dorë nga procesi i pasurimit të uranit brenda vendit?

Vetëm para pak ditësh në kompleksin e pasurimit të uranit në Natanz centrifugat u mbushën me gaz-urani. Pikërisht mbyllja e kompleksit të Natanzit është kërkuar vazhdimisht si nga Rusia ashtu edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Por lidhur me këtë çështje partneri i bisedimeve nga pala iraniane, shefi i Agjencisë Atomike të Iranit, Aghazadeh dha përgjigje të vakët, duke thënë, se ende ka gjëra që duhen sqaruar: "Nuk është fjala vetëm për themelimin e një firme të përbashkët, por edhe për shumë faktorë të tjerë në këtë kontekst që ndër të tjera kanë të bëjnë edhe me çështje politike."

Irani bën fjalë për një "paketë të përgjithshme", që duhet hartuar dhe përveç kësaj vë edhe një kusht, por pa e përmendur konkretisht, se çfarë.

Në të shkuarën iranianët vazhdimisht kanë insistuar në mënyrë të trifishtë: që duan të paktën për qëllime studimore të vazhdojnë procesin e pasurimit të uranit në vend me një kapacitet të ulët. Së dyti kërkohet që studjuesit iranianë të kenë akses në komplekset e përbashkëta me Rusinë dhe së treti, heqja dorë prej pasurimit industrial të uranit brenda vendit nuk duhet të jetë e përhershme, pra marrëveshja duhet të ketë një afat të kufizuar.

Rusia deri më sot i ka hedhur poshtë të tria këto pika. Eshtë e paqartë, se ç´pozicion ka Moska në këtë drejtim. Por iraniani Aghazadeh mendon: "Bisedimet do të vazhdojnë gjatë ditëve të ardhshme në Moskë."

Eshtë ende shpejt të thuhet se kemi të bëjmë me një sukses, por së paku ka shenja për të shpresuar.

Deri më 6 mars duhet të jetë hartuar paketa, paskëtaj do të paraqesë raportin shefi i Agjencisë Ndërkombëtare Atomike, El Baradei. Nëse dështon kompromisi rus, automatikisht do të aktivizohet Këshilli i Sigurimit.

Se çfarë rrezikohet prej kësaj edhe për vetë evropianët, këtë e bëri të qartë në fundjavë koncerni iranian i naftës dhe i gazit "Pars": javën e ardhshme do të vendoset me "Totalin" francez dhe me "Shellin" holandezo-britanik mbi pjesëmarrjen e tyre në "South Pars", kjo është fusha më e madhe e gazit në botë.

  • Data 26.02.2006
  • Autor Jërg Pfuhl
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqqp
  • Data 26.02.2006
  • Autor Jërg Pfuhl
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqqp