1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konsultime mbi Lindjen e Mesme dhe Ballkanin

Bernd Riegert30 Janar 2006

Ministrat e jashtëm të vendeve të BE-së mblidhen sot të hënën (30.01) në Bruksel. Në qendër të konsultimeve është qëndrimi i mëtejshëm ndaj Lindjes së Mesme pas fitores së Hamasit në territoret palestineze si dhe kursi i zgjerimit të unionit në të ardhmen.

https://p.dw.com/p/AqgD
Frank-Walter Steinmeier dhe Ursula Plassnik EU
Frank-Walter Steinmeier dhe Ursula Plassnik EUFotografi: AP

BE-ja e parashikonte një rezultat të mirë të organizatës Hamas në zgjedhjet parlamentare në territoret palestineze, por nuk e mendonte kurrë një fitore të saj. Ndaj edhe pse zyrtarisht u mirëprit rrjedha e qetë e votimeve në zgjedhjet e para të lira qysh pas dhjetë vjetësh në këto territore, Brukseli ndodhet tani i papërgatitur.

Ministrat e jashtëm të BE-së duan të gjejnë në konsultimet e së hënës një linjë të përbashkët kundrejt partisë radikale palestineze, e cila bën pjesë në listën e organizatave terroriste. Diplomatët e BE-së besojnë, se tani duhet pritur, se si do të formësohet krijimi i qeverisë në territoret palestineze. Nëse Hamasi heq dorë prej dhunës dhe pranon ekzistencën e Izraelit, BE-ja dëshiron të vazhdojë ndihmën financiare për autoritetet palestineze. Kërkesat konkrete në adresë të Hamasit dhe paraqitja e disavanatazheve financiare ende nuk janë përcaktuar në deklaratën përfundimtare të ministrave të jashtëm.

Nga pikëpamja juridike BE-ja e ka të ndaluar të ketë marrëdhënie financiare me Hamasin, sepse kjo organizatë qysh prej vitit 2001 është përfshirë në listën e terrorit. Kontaktet zyrtare politike gjithashtu nuk janë të mundura. Si mjet presioni BE-ja mund të përdorë levën financiare, sepse unioni është financuesi më i madh për palestinezët. Vitin e shkuar Brukseli pagoi rreth 280 milionë euro për palesitnezët. Bashkë me ndihmat bilaterale nga buxhetet kombëtare të vendeve anëtare ndihma arrin në një gjysmë miliardi euro.

Ministrat e jashtëm të BE-së duan të konsultohen edhe për kursin e zgjerimit që do të ndjekin në të ardhmen. Kryesisht është fjala për vendet e Ballkanit Perëndimor që synojnë antarësimin, si Serbia e Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina, Shqipëria dhe Maqedonia. BE-ja dëshiron të vazhdojë t´i ndihmojë këto vende në reformat shtetërore dhe ekonomike duke i vëne edhe kushte për afrimin si: bashkëpunimi i plotë me Tribunalin Ndërkombëtar për krimet e luftës në Jugosllavi. Për afate kohore ministrat nuk do të japin asnjë deklaratë, por kryeministri francez Dominik dë Vilëpen ka paralajmëruar që të mos ndërmerren hapa të nxituara. Sigurisht që ministrat e jashtëm të BE-së nuk nxitohen për këtë aq më shumë në sfondin e krizës kushtetuese në BE.

Presidenca austriake insiston që edhe kapaciteti i unionit për pranime të reja të jetë një kriter i rëndësishëm për zgjerimin në të ardhmen. Për vendet e Ballkanit duhet të ruhet patjetër perspektiva e antarësimit, sepse kështu mund të "eksportohen" demokracia, qeverisja e mirë dhe stabiliteti në këto shtete, thuhet në këshillin e ministrave.

Ministri i jashtëm i Gjermanisë, Frank-Valter Shtajnmajer do të zhvillojë një vizitë fare të shkurtër në Bruksel për t´u konsultuar me kolegët e tij për Lindjen e Mesme gjatë një dreke të përbashkët. Pasdite ai do të udhëtojë për në Londër, ku do të takohet kuarteti për Lindjen e Mesme (BE, ShBA, OKB dhe Rusia). Përveç kësaj ai do të konsultohet me antarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit (ShBA, Kina, Rusia, Franca dhe Britania e Madhe) në Londër lidhur me politikën për Iranin. BE-ja do të arrijë, që programi bërthamor iranian të trajtohet në Këshillin e Sigurimit. Ndërsa Rusia dhe Kina kanë rezerva.