1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kongresi i dytë botëror kundër dënimit me vdekje

Stefanie Duckstein7 Tetor 2004

Metropoli kanadez Montreal prej të mërkurës është mikpritës i kongresit të dytë botëror kundër dënimit me vdekje. Në kongres po marrin pjesë mbi 1000 aktivistë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, parlamentarë, historianë dhe juristë. Në kongres janë ftuar kundërshtarë të dënimit me vdekje nga Afrika e Jugut, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Japonia dhe Evropa.

https://p.dw.com/p/ArS6
Kundërshtarë të dënimit me vdekje
Kundërshtarë të dënimit me vdekjeFotografi: AP

Inxheksion me helm në Teksas apo ekzekutim publik në Arabinë Saudite: dënimi me vdekje praktikohet ende në 47 vende të ndryshme të botës. Kongresi i dytë botëror kundër dënimit me vdekje në Montreal angazhohet kundër kësaj praktike.

Sipas të dhënave të Organizatës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut Amnesty International vetëm gjatë vitit 2003 janë ekzekutuar të paktën 1146 të burgosurë. Kjo organizatë dyshon që ky numër të jetë ende më i madh kur dihet se nuk njoftohet për të gjitha ekzekutimet. 87 vende e kanë dënimin me vdekje ende si të drejtë të sanksionuar me kushtetutë. Më së shpeshti ajo aplikohet në Kinë, Iran, Vietnam dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përkrahësit e dënimit me vdekje siç pritet nuk do të kenë rastin të marrin fjalën në Montreal. Ashtu si më parë në botë ka ende militantë kokëfortë të dënimit me vdekje. Argumenti i tyre më i fuqishëm është shlyerja e fajit. Nëse dënimi me vdekje shqiptohet për dikend që ka shuajtur një jetë atëherë për disa kjo është hakmarrja e vetme e drejtë. Poashtu përkrahësit e dënimit me vdekje mendojnë se këto dënime mund të kenë edhe efekt frikësimi i cili do të pengonte keqëbërsit potencial nga veprat e rënda penale.

Kongresi treditor është organizuar nga Shoqata "Bashkarisht kundër dënimit me vdekje". Këshilli i Evropës dhe Parlamenti Evropian po i mbështesin punimet e kongresit. Kjo konferencë për herë të parë është mbajtur para katër vitesh në Strasburgun francez. Në vitin 2001 Valter Shvimer, sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës proklamonte se praktika e ekzekutimeve është e pamoralshme dhe e dënueshme dhe nuk kontribuon në luftimin e kriminalitetit. Vdekja nuk mund të jetë kurrë drejtësi.

Edhe pse Bashkimi Evropian jo gjithnjë flet me të njëjtën gjuhë sa u përket të drejtave të njeriut, prapëseprapë pjesës tjetër të botës mund t`i dëshmoj një bilanc impresionues. Në Evropë ekziston një konsensus i gjerë për refuzimin e dënimit me vdekje. Evropianët janë krenar që jetojnë në një kontinent ku nuk aplikohet kjo metodë. Edhe pse disa vende, në mesin e tyre Turqia dhe Rusia nuk kanë ratifikuar ende protokollin shtesë të konventës evropiane për të drejtat e njeriut ka vite që në kontinetin evropian nuk është çuar deri në fund asnjë shqiptim i dënimit me vdekje.

Në thumb të kritikave ndodhen Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas Kinës dhe Iranit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndodhen në vend të tretë me 65 ekzekutime në vitin 2003, njofton Amnesty International. Kjo organizatë aktualisht ka të regjistruara 3500 dënime me vdekje të cilat presin zbatimin e tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në disa prej shteteve federale ekzekutohen edhe minorenët dhe të dënuar me të meta psiqike.

Fal lëvizjes mbarëbotërore kundër dënimit me vdekje po shtohet gjithnjë e më shumë nurmi i vendeve që po heqin atë apo nuk po konkretizojnë dënimet aktuale. Deri tani janë më tepër se gjysma e vendeve të botës. Qëllimi i konferencës së sivjeme është nxjerrja jashtë ligjit e dënimit me vdekje në krejt botën.