1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

200409 Durban Geschichte

20 Prill 2009

Në Gjenevë filloi të hënën (20.04.2009) konferenca e OKB-së kundër racizmit, e cila për javë të tëra ka shkaktuar debate të shumta.

https://p.dw.com/p/HakR
Konferenca e OKB-së kundër racizmit në Gjenevë.
Në Gjenevë filloi të hënën (20.04.2009) konferenca e OKB-së kundër racizmit. Izraeli, SHBA, Gjermania dhe Hollanda nuk marrin pjesë.Fotografi: AP

SHBA-të e kanë bojkotuar konferencën e kontestueshme, ndërkohë që të dielën në mbrëmje edhe qeveria gjermane vendosi të mos marrë pjesë në të. Shqetësimet nga mundësia e dënimit të njëanshëm të Izraelit dhe paraqitja e presidentit iranian, Mahmud Ahmadinexhad, kanë bërë që disa shtete të anulojnë pjesëmarrjen e tyre në konferencën e OKB-së kundër racizmit, që është duke u mbajtur në Gjenevë. Pas Izraelit, SHBA-së dhe Gjermanisë, edhe Hollanda bëri të ditur që nuk do të marrë pjesë në këtë takim.

Kofi Anan në Konferencën kundër të mbajtur në Durban, 2001
Në Konferencën kundër të mbajtur në Durban gjendja u acarua kur vendet e Ligës Arabe akuzuan Izraelin se është shtet racist. 31 gusht 2001Fotografi: picture-alliance / dpa

Vëzhguesit që raportonin në vitin 2001 nga Durbani ku u zhvillua konferenca kundër racizmit, nuk e kanë kaluar tronditjen ende. Diktatorë, përgjegjës për fatin e mijëra viktimave e quajtën shtet racist, Izraelin demokratik. Përfaqësuesja e një organizate joqeveritare nuk mund t'u besonte veshëve. "Jam shumë e shokuar. Mendoj se kjo konferencë, që ishte parashikuar të ishte konferencë për të luftuar racizmin, është shndërruar në një tubim që nxit racizmin."

Ish - ministri i Jashtëm gjerman Joshka Fischer, përpiqej nga ana e tij që të shpëtonte nga konferenca e Durbanit, atë që mund të shpëtohej. "Polarizimi këtu në Durban i debateve rreth konfliktit të Lindjes së Mesme, ose izolimi i Izraelit në mënyrë direkte apo indirekte, nuk mund t'i shërbejë rivendosjes së mirëbesimit apo procesit të paqes. "

Grindjet rreth konferencës së Kombeve të Bashkuara kundër racizmit kanë histori të gjatë. Qysh në vitin 1978, në konferencën e parë, Izraeli u sulmua hapur. Kështu ndodhi edhe në Gjenevë, në vitin 1983. Delegacionet e braktisën konferencën, ose nuk morën pjesë në punimet e saj. Ndërsa në Durban gjendja u acarua, kur negociatorët u përpoqën që të shmangin më të keqen, por përpjekjet mbetën të kota.

Mijra njerëz demostrojnë kundër racizmit në Durban, gusht 2001
Mijra njerëz demostrojnë kundër racizmit në Durban, gusht 2001Fotografi: picture-alliance / dpa

Pjesëmarrësit në Durban ishin shumë të nervozuar. Amr Mussa, Sekretari i Përgjithshëm e Ligës Arabe, hodhi benzinë në zjarr kur kërcënoi: "Izraeli dhe SHBA-ja duhet të pranojnë se ajo çka bëjnë, tërbon gjithkënd në Lindjen e Mesme: në rrugë, në universite, në media, kudo. Pra, në qoftë se ata duan ta sfidojnë botën, pasi e kanë fuqinë ose mbeshtetjen e një superfuqie, atëherë duhet ta paguajnë çmimin. Madje shumë shpejt".

Delegacionet e Izraelit dhe e SHBA-së nuk e prishën gjakun nga ky sulm i ashpër i Ligës Arabe, por e braktisën konferencën, të pikëlluar, të mërzitur dhe të brengosur: "Ne jemi shumë të trishtuar, të mërzitur dhe jemi shumë të shqetësuar."

Mary Robinson, ish-Komisarja e lartë e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut u shpreh me keqardhje të thellë. "Më vjen shumë keq për vendimin e Shteteve të Bashkuara, që të braktisin konferencën."

Skandali i Durbanit u eklipsua shpejt nga sulmet terroriste të 11 shtatorit. Prandaj pyetja se si mund të ndodhë, që në konferencën e Kombeve të Bashkuara kundër racizmit, të argumentohet pjesërisht në mënyrë antisemite dhe raciste, mbeti pa përgjigje.

Presidenti iranian Mahmoud Ahmadinejad në Gjenevë.
Presidenti iranian Mahmoud Ahmadinejad, mbërrin në Gjenevë ku mbahet konferenca e Kombeve të Bashkuara kundër racizmit.Fotografi: AP

Ekspertet për të drejtat e njeriut, që janë angazhuar javët e fundit për pjesëmarrjen e të gjitha vendeve në konferencën e Gjenevës, duan që vendimet e marra në Durban të verifikohen edhe një herë. Ashtu siç kërkoi para 8 vitesh edhe Mary Robinson. "Mesazhi qendror, me të cilin unë dëshiroj të përshëndes, është: Durbani duhet të jetë fillimi dhe jo fundi. Duhet të mbahet edhe një konferencë tjetër. Dokumentat për të cilat kemi rënë dakord do të jenë të parëndësishme, në rast se qeveritë nuk veprojnë sipas tyre."

Një aspekt, i cili u injorua gati plotësisht në debatin rreth përgatitjes së konferencës së Gjenevës, është grindja për javë të tëra e shteteve anëtare të OKB-së, rreth kritikave kundër feve. Shtetet myslimane këmbëngulnin, që kritika kundër feve të frenohen në një masë të madhe në të gjithë botën. Ndërsa vendet perëndimore kanë frikë ndaj cënimeve të mendimit të lirë.

Autor: Andreas Main / Giovanna Nanci

Redaktoi: Aida Cama