1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve: Votimet në rrezik nga ndryshimet e komisionerëve vendore

13 Shkurt 2007

Partitë parlamentare bëjnë ndryshime të përfaqësueve të tyre në komisionet e qendrave të votimit gjë që shkakton vonesa në përgatitjet e zgjedhjeve

https://p.dw.com/p/ArYe
Tirana
TiranaFotografi: DW

Për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, KQZ, në Tiranë, nuk kanë të mbaruar problemet që bëhen pengesë për ngritjen e infrastrukturës së votimeve të së dielës së ardhshme. Në një kohë që nga mesjava e kaluar ka nisur procesi i trajnimit të anëtarëve të rreth 4700 mijë komisioneve të qendrave të votimit në të gjithë territorin e Shqipërisë, partitë parlamentare bëjnë ndryshime të përfaqësueve të tyre në këto komisione.

Sipas kryetarit të KQZ, Çlirim Gjata, kjo e ka bërë situatën të pasigurtë në funksionimin e komisioneve, duke lënë në pikëpyetje trajnimin e anëtarëve të rinj që po zëvendësohen ditët e fundit. "Edhe pse ligji e përcakton qartë, se këto komisione duhet të ngrihen jo më vonë se dhjetë ditë nga mbajtja e zgjedhjeve, një pjesë e subjekteve politike që kanë të drejtën për të pasur komisionerë, ende nuk kanë paraqitur propozimet e tyre, duke krijuar vështirësi në procesin e trajnimit, i cili ka filluar nga data 10 shkurt dhe do të vazhdojë deri më 16 shkurt.

Po kaq e vonuar paraqitet situata dhe në lidhje me Grupet e Numërimit të Votave, GNV,kur dihet shumë mirë, se në bashkitë e mëdha të vendit do të duhet të ngrihen shumë grupe të tilla”, deklaron Gjata. Sipas KQZ-së një problem pengues është dhe ndryshimi i adresave të komisioneve të votimit. "I bëj thirrje kryetarëve të njësive vendore që të mos ndryshojnë qendrat e votimit, në raport me materialin e sjellë në fillim, se do të mbesin qendra votimi "fantazëm", ose do të ketë qendra votimi, për të cilat nuk do të ketë bazë materiale, pasi kjo e fundit është llogaritur mbi bazën e informacionit të parë.

Kjo është e lidhur dhe me fletët e votimit, të cilat përllogariten sipas numrit të zgjedhësve të sjellë nga kryetari i njësisë, i cili është kompetent për këtë çështje", thotë kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Çlirim Gjata.

KQZ është duke ndjekur disa ankesa që i kanë mbërritur nga komisionet e qeverisjes vendore, në pjesën më të madhe për listat e votimit dhe mënyrën e verifikimit e shpalljes së tyre. Sipas Çlirim Gjatës, drejtuesit e pushtetit lokal dhe anëtarët e komisioneve të votimit nuk duhet ta konsiderojnë veten si përfaqësues të partive, por si nëpunës publikë që zbatojnë vetëm ligjin dhe jo urdhërat politikë.