Kombet e Bashkuara dhe e drejta e shkollimit | Bota | DW | 17.01.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Kombet e Bashkuara dhe e drejta e shkollimit

Profesoresha e drejtësisë në Universitetin Lund në Suedi, Katarina Tomasevski ka qenë deri nga mesi i vitit 2004 raportuese e posaçme e Komesariatit të lartë të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut. Ajo ka dhënë dorëheqjen nga ky post, para së gjithash nga frika për mungesën e rezultatave të punës. Henriete Vrege bisedoi me të lidhur me kritikat e saj në adresë të Kombeve të Bashkuara.

Për profesoreshën suedeze Katarina Tomasevski e drejta për shkollim është e drejtë e njeriut. Para së gjithash shkollimi duhet të ofrohet në atë gjuhë që kuptohet nga nxënësi. Nuk bën përshembull që në Togo mësimi të mbahet në gjuhën franceze nëse asnjë fëmijë atje nuk e kupton frengjishten. Para së gjithash në këtë mes shkilen të drejtat e pakicave. Një problem tjetër që preokupon profesoreshën Tomasevski është lënja jashtë procesit mësimor e femrave në shumë vende të botës. Shembull konkret është për të Pakistani. Një ndër detyrat e komisionerit të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut sipas saj është që këto probleme të përmenden me emër. Por kjo nuk ka ndodhur kurrë në vend të kësaj ato janë fshehur pas gjuhës diplomatike të Kombeve të Bashkuara. Andaj ajo edhe ka hequr dorë nga posti i raportueses së posaçme:

"Për mua me këtë nuk ka përfunduar detyra, unë vazhdoj edhe më tej që të mobilizoj njerëzit që të angazhohen për të "drejtën e shkollimit". Ne duhet ta bëjmë të njëjtën gjë pasi që Kombet e Bashkuara nuk do ta bëjnë një gjë të tillë për ne. Këtu qëndron problemi. Miliona fëmijë nuk gëzojnë të drejtën e shkollimit falas. Ne u heqim atyre një të drejtë e cila për ne dhe fëmijët tanë në Evropën perëndimore është e vetkuptueshme: ndjekjen e mësimit në shkollë pa patur nevojë për të paguar, për të mësuar dhe thjeshtë për të qenë fëmijë. Shkollimi pa pagesë mund t`i kursej ata nga puna, nga rekrutimi ushtarë që në moshën e re apo martesa që në moshën 10 apo 11 vjeçare", sqaron Katarina Tomasevski.


Një raportuese e posaçme, shton ajo, punon jashtë administratës së Kombeve të Bashkuara dhe ka sipas mendimit të saj për detyrë që të raportoj hapur për të gjitha problemet. Në këtë mënyrë Katarina Tomasevski është ankuar në shumë raporte të saj që në 50 përqind të vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara duhet paguar edhe për mësimin në shkollat fillore.

"Në nëntë vitet e kaluara ne u desh që për tmerrimin tonë të konkludojmë që shkollimi është kthyer në një mjet tregtie. Kjo do të thotë që e drejta e shkollimit është barazuar me të drejtën për të blerë një biletë avioni apo të drejtën për të patur një kompjuter. Nëse nuk keni para atëherë nuk keni as biletë avioni, as kompjuter por as shkollim. Nëse ky zhvillim kundrohet nga prizmi i të drejtave të njeriut atëherë ne diskriminojmë të varfërit. Njerëzit e varfër nuk mund t`i paguajnë të gjitha këto. Kjo do të thotë, ne u themi atyre, nëse nuk jeni të pasur sa duhet për të paguar atëherë ju dhe fëmijët tuaj nuk mund të kenë çasje në arsim. Të pasurit mund të blejnë shkollimin dhe të bëhen edhe më të pasur. Dhe të varfërve u themi, ju nuk keni kurrfarë të drejtash", nënvizon zonja Tomasevski.

Ajo është e bindur që e drejta e shkollimit pa pagesë është mjeti i vetëm që do të ruante fëmijët nga marrja me prostitucion apo inkuadrimi në radhët e ushtrisë si fëmijë. Dhe ajo raporton për enuziazmin me të cilin fëmijët shkojnë në shkollë në Keni, Tanzani dhe Ugandë. këto janë tre vendet e vetme të Afrikës ku shkollimi fillore është gratis.

  • Data 17.01.2005
  • Autor Henriete Vrege
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArQz
  • Data 17.01.2005
  • Autor Henriete Vrege
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArQz
Reklamë