Koalicioni pret bekimin e bazës | Gjermania | DW | 14.11.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Koalicioni pret bekimin e bazës

Marrëveshja për koalicionin qeveritar mes Unionit demokristian dhe SPD-së është gati dhe kryetarët e grupave të bisedimeve janë të kënaqur dhe të bindur se kjo marrëveshje do të miratohet edhe në kongreset e të dyja partive që zhvillohen gjatë ditës së sotme (14.11.).

Baza duke votuar

Baza duke votuar

Përpara se marrëveshja për koalicionin të firmoset të premten e ardhshme (18.11), ajo duhet të marrë edhe bekimin e kongreseve të të dyja partive në koalicion. Sot bazat e të dy partive do të vendosin nëse janë dakord apo jo me programin për të cilin ranë dakord pas bisedimesh të gjata kryesitë e partive.

Priten kritika

Ky proces nuk do të zhvillohet pa kritika, sepse secila prej partive të mëdha të vendit, u detyrua, që për të hyrë në koalicion, të kapërdinte disa pilula të hidhura. Kështu socialdemokratët ishin kryekëput kundër rritjes së tvsh-së. Tani atyre u duhet që të bien dakord me rritjen e tvsh-së madje edhe me 3%. Matias Platcek, aktualisht kryeministër i landit të Brandenburgut, apelon tek 500 delegatët e kongresit të socialdemokratëve me këto fjalë: "Ne kemi një shanc të vetëm, pra që t'ia dalim mbanë bashkarisht. Vetëm kështu bëhet mirë për Gjermaninë. Ne nuk duhet të veprojmë sipas parimit që t'i vëmë stërkëmbsh tjetrit, sepse vetëm kështu do t'i ketë punët mirë partia jonë."

SPD zgjedh kryetarin e ri

Matias Platcek pritet të zgjidhet në kongres si kryetari i ri i SPD-së. Ai vetë drejton një koalicion të madh, por në qeverinë e re të Angela Merkelit ai nuk do të marrë pjesë. Në këtë qeveri pritet që postin e zëvendëskancelarit dhe të ministrit të punës ta marrë Franc Myntefering, i cili do të largohet nga posti i kryetarit të partisë. Për këtë gjithsesi atij i duhet vota e delegatëve dhe prandaj edhe Myntefering u bën thirrje anëtarëve të partisë së vet, që të votojnë pro konstelacionit të pazakontë politik, që pritet të qeverisë Gjermaninë.

"Koalicioni i madh është i mundshëm dhe nën drejtimin e zonjës Merkel si kancelare me tetë ministra socialdemokratë në kabinet, ky do të jetë një koalicion të barabartësh, për të cilin është rënë dakord të funksionojë për katër vjet dhe që i ka të gjitha kushtet për të qenë i sukseshëm." - tha Myntefering.

Demokristianët mendojnë se koalicioni nuk do të jetë i suksesshëm

Në kampin demokristian politikanët mendojnë se koalicioni i madh nuk ka shance për të qenë i sukseshëm. Ministri i Ekonomisë i landit Schleswig-Holstein, Dietrich Austermann, thotë se programi qeverisës i koalicionit të madh meriton notën "gjashtë minus", sepse përmban vetëm pak impulse për gjallërimin e ekonomisë. Edhe eksperti i kësaj partie për financat Friedrich Merz, u shpreh se CDU-ja po paguan një çmim tepër të lartë për të marrë postin e kancelarit.

Demokristianët do e aprovojnë marrëveshjen e koalicionit

Duke ju kundërvënë këtyre kritikave Angela Merkel u bën thirrje anëtarëve të partisë së saj që t'i shohin gjërat nga një perspektivë tjetër:

"Politika jeton ndonjëherë prej teprimeve, apo prej përqëndrimit vetëm në një pjesë të së vërtetës, kjo është e qartë. Po tani neve na duhet që t'i vëzhgojmë në vazhdimësi të gjitha anët e së vërtetës. Për ne ky është një ushtrim i ri."

Miratimi i marrëveshjes së koalicionit në kongresin e demokristianëve në Berlin është i sigurt. Në kongresin e kristian-socialëve në Mynih pritet të ketë stuhi. Kjo jo për shkak të marrëveshjes së koalicionit, por sepse kryetari i kësaj partie Edmund Stoiber, që është edhe kryeministër i landit të Bavarisë, vendosi në minutën e fundit që të mos ta pranonte postin e Ministrit të Ekonomisë. Me këtë vendim ai ka bërë kundër vetes shumë anëtarë të partisë së vet.

  • Data 14.11.2005
  • Autor Nina Werkhäuser
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar2G
  • Data 14.11.2005
  • Autor Nina Werkhäuser
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar2G