Katër të arrestuar për atentatet e dështuara mbi trenat në Gjermani | Gjermania | DW | 26.08.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Katër të arrestuar për atentatet e dështuara mbi trenat në Gjermani

Një prej të dyshuarve pranon pjesërisht akuzën

Xhihad Hamad: i riu libanez ka pranuar pjesëmarrjen në atentatet kundër trenave në Gjermani

Xhihad Hamad: i riu libanez ka pranuar pjesëmarrjen në atentatet kundër trenave në Gjermani

Në atentatet e dështuara mbi trenat rajonalë në landin e Vestfalisë dhe Rinit Verior duket se kanë qenë të përfshirë më shumë njerëz nga sa mendohej fillimisht. Hetuesit kanë ndaluar të premten dy të dyshuar të tjerë në Konstancë dhe në Liban. Të dy burrat mendohet se kanë lidhje të ngushta me dy të dyshuarit kryesorë, Jusef Mohamad dhe Xhihad Hamad, kanë bërë të ditur autoritetet gjermane dhe libaneze. Hamad ka pranuar gjatë marrjes në pyetje në Bejrut pjesëmarrjen në atentatet kundër trenave.

Në rastin e atentateve të dështuara kundër disa trenave rajonalë në Gjermani vazhdojnë të vijnë njoftime të reja nga Libani. Atje po merret në pyetje Xhihad Hamad, 20 vjeçari i cili banonte në Këln dhe që të mërkurën e shkuar iu dorëzua vetë autoriteteve libaneze në Tripoli. Sipas të dhënave të ministrit të brendshëm libanez Ahmed Fatfat, Hamad ka pranuar pjesëmarrjen në atentatet e dështuara. Ka të ngjarë që në sfond të atentatit të jetë organizata terroriste Al Kaida, është shprehur ministri Fatfat. Për këtë hipotezë flasin gjurmët e gjetura në kompjuterin e të dyshuarit. Por lidhja nuk është vërtetuar ende dhe Hamad nga ana e tij mohon çdo lidhje me rrjetin terrorist. Ministri i brendshëm libanez vlerëson se është plotësisht e mundur që Hamad të mos ketë patur fare dijeni se punonte për Al Kaidën. Lidhja me organizatën terroriste ka megjithatë kuptim në rastin e Hamadit. Libanezi vjen nga një zonë që cilësohet si një nga fortesat e ekstremistëve sunitë. Mendohet se kanë qenë ata që i kanë mundësuar disa muaj më parë Al Kaidës hedhjen e një rakete katjusha nga Libani i Jugut në Izrael.

Marrja në pyetje e 20 vjeçarit i ka vënë hetuesit në Liban në gjurmë të një burri tjetër për të cilin dihet vetëm se është 24 vjeç. Ai fillimisht do të merrej në pyetje vetëm si dëshmitar por kundërthëniet në deponim dhe informacionet nga qarqet gjyqësore në Bejrut çuan më pas në arrestimin e tij.

Marrja në pyetje e libanezit Hamad do të vazhdojë dy ditë. E paqartë është se në ç'formë asistojnë në këtë proçes hetuesit gjermanë. Ministri libanez i punëve të brendshme ka deklaruar se ata mund të jenë të pranishëm gjatë marrjes në pyetje dhe të drejtojnë edhe vetë të tilla. Prokurori i përgjithshëm libanez Said Mirsa e ka kundërshtuar këtë. Sipas ligjit në vend duhet të përfundojë fillimisht marrja në pyetje nga autoritetet libaneze përpara se të vijë rradha e gjermanëve.

Pas arrestimit në Kostancë të Gjermanisë të një personi tjetër të dyshuar, në duart e autoriteteve libaneze dhe gjermane ndodhen tani katër burra. Zyra Federale e Kriminalistikës në Gjermani mendon se bëhet fjalë për një rrjet të gjerë personash të implikuar. Për atentatet e dështuara sipas këtyre informacioneve është përgjegjëse një celulë terroriste që vepron në Gjermani. Gjermania do të kërkojë ekstradimin të paktën të libanezit që ka pranuar fajin megjithëse mes dy vendeve nuk egziston ndonjë marëveshje përkatëse. Megjithatë nuk pritet ndonjë refuzim nga qeveria libaneze.

Në 31 korrik në dy trena rajonale në Dortmund dhe Koblenc u zbuluan dy valixhe me bomba. Për shkak të një gabimi në montim bombat nuk shpërthyen. Dy libanezët e parë të ndaluar u identifikuan falë rregjistrimeve të kamerave në stacionet e trenave.

  • Data 26.08.2006
  • Autor Jörg Kaminiski
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqzh
  • Data 26.08.2006
  • Autor Jörg Kaminiski
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqzh