1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kandidatët nuk kanë bërë transparente fondet e fushatës elektorale

Arben Muka13 Shkurt 2007

Grupi i monitorimit te fushatës elektorale, që përbëhet nga disa organizata joqeveritare apelon tek politika që të mos shkelë kodin e etikës gjatë garës mes kandidatëve, si dhe të bëhen transparente fondet që po përdoren nga partitë dhe kandidatët gjatë kësaj fushate

https://p.dw.com/p/ArYb
Kandidati opozitar Edi Rama dhe presidenti Alfred Moisiu
Kandidati opozitar Edi Rama dhe presidenti Alfred MoisiuFotografi: AP

Fushata elektorale është në ditët e fundit, por nga kandidatët për kryetarë të bashkive dhe komunave që jane në garë prej afër një muaji nuk janë bërë ende transparente fondet financiare. Ky është njëri prej shqetësimeve që ka ngritur grupi i monitorimit elektoral, që përbëhet nga eksponentë të shoqërisë civile.

Sipas Kristaq Kumes, që drejton institutin për çështje elektorale, „partitë politikë kanë rënë dakord në parim se duhet ta bëjnë transparencën e parave që shpenzojnë në fushatë, por në realitet nuk ka asnje gjë konkrete“. Sipas tij, kjo fshehje hedh dyshime „se ka marrëveshje mes kandidatëve dhe bizneseve për financimin dhe premtimin e kthimit të këtij financimi në formën e favoreve pas zgjedhjeve“.

Një shqetësim tjetër i grupit të monitorimit elektoral është dhe shpeshtimi i rasteve te shkeljeve të etikës nga tribunat e kandidatëve kur përdoren fyerje e sharje personale. Grupi i monitorimit elektoral për gjithë procesin e vëzhgimit të zgjedhjeve për pushtetin lokal do të prezantojë një raport përfundimtar me konstatimet dhe rekomandimet përkatëse.

Ndërkohë zyra e OSBE-së në Tiranë, për herë të parë në një proces zgjedhor në Shqipëri, do të mbështesë të gjithë personat e verbër, pa patur nevojë për një shoqërues për ta në dhomën e fshehtë dhe në aktin e hedhjes së votës. Për afër 2 mijë zgjedhes të verbër në dy qytetet kryesore, Tiranë dhe Durrës do të përdoren fletë votimi të posaçme, përmbajtjen e të cilave ata mund „ta lexojnë“ vetëm me anë të të prekurit.