Kancelari Shrëder dëshiron të kthehet në bazë
12 Tetor 2005Që të martën në darkë Shrëderi kishte deklaruar se nuk pretendonte për asnjë portofol ministror në kabinetin e kancelares Angela Merkel. Gjatë kongresit të Sindikatës së minierave, të energjitikës dhe të industrisë kimike, që u zhvillua në Hanover, ku Shrëderi u prit me duartrokitje frenetike, ai deklaroi me një zë të prekur se: "Unë nuk do të jem anëtar i qeverisë së ardhshme, definitivisht jo. Po pritja juaj më ka bërë disa gjëra të qarta. Dua të mbetem mes jush, sepse e di nga vij dhe e di se kujt i takoj." - tha Shrëderi.
Pra përfundimisht qeveria e re gjermane do të krijohet pa Gerhard Shrëderin. Gjithesesi ai dëshiron që të thotë fjalën e vet në bisedimet për krijimin e koalicionit të madh. Shrëderi tha se këtë e bën pasi dëshiron që koalicioni mes dy partive më të mëdha të vendit të jetë i sukseshëm. Gjithsesi, mesazhi i tij për kancelaren e re është që qytetarët gjermanë votuan kundër një liberalizimi të fortë të shoqërisë gjermane, si dhe në radhë të parë kundër shkurtimeve të mëtejshme të shtetit social.
"Unë besoj se 80% e qytetarëve në Gjermani na dhanë neve të gjithëve si dhe vetes një mesazh të qartë. Ata i duan reformat, sepse janë të domosdoshme, por duan që ato të kryehen me maturi dhe me përgjegjësi sociale." - tha Shrëderi.
Ndërkohë në Berlin vazhduan diskutimet e kryesive të të dyja partive në lidhje me shpërndarjen e posteve ministrore. Pritet që SPD të shpallë gjatë ditës së sotme tetë kandidatët për postet e ministrave që i takojnë dhe kërkesat themelore për bisedimet për koalicion, që do të fillojnë ditën e hënë. Me shumë kërshëri po pritet se kujt do t'i besohet posti i ministrit të punëve të jashtme dhe njëkohësisht i zëvendëskancelarit. Një ndër kandidatëm është kryetari aktual i socialdemokratëve Franz Myntefering.