1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kalaja e Shkupit - mollë sherri mes shqiptarëve dhe maqedonasve

14 Shkurt 2011

Gjashtë protestues dhe 2 policë të lënduar është bilanci nga incidenti i djeshëm (13.02.) që ndodhi në Kalanë e Shkupit. Partitë politike dhe faktori ndërkombëtar bëjnë apel që të mos keqpërdoren mardhëniet ndëretnike.

https://p.dw.com/p/10GwK
Pamje nga qendra e Shkupit
Pamje nga qendra e ShkupitFotografi: DW

Grubi: Skenare të tilla kemi parë edhe në të kaluarën

Organizata joqeveritare “Zgjohu” kishte paralajmëruar një protestë të qetë para objektit që po ndërtohej në Kalanë e Shkupit. Nga ana tjetër një grup i organizuar maqedonas pa paralajmërim ishte përqëndruar në Kalanë e Shkupit. Ai ka penguar mbajtjen e protestave të shqiptarëve. Në një situatë të këtillë të tensionuar as forcat e mëdha të policisë nuk kanë arritur ta pengojnë kontaktin fizik midis protestuesve shqiptarë dhe maqedonas. Pas intervenimit edhe të policisë speciale, protestuesit janë shpërndarë ndërsa Kalaja e Shkupit është duke u mbrojtur nga njësitë speciale të policisë. Kryetari i lëvizjes “Zgjohu”, Artan Grubi, i cili ishte organizator i protestës ka marrë lëndime gjatë incidentit. I pyetur për arsyen e incidentit ai thotë:

“Kam përshtypjen se ky është një skenar që e kemi parë edhe në të kaluarën, që protestat tona të shoqërohen me kundër protesta. Ata të cilët e kanë përkrahur dhe financuar këtë projekt, janë ata që kanë organizuar protestat të cilat nuk ishin të paralajmëruara, por që kishin vetëm një qëllim- të përleshen dhe të shkaktojnë incidente.”

Angellovski: Po zhduket projekti i shteteve multietnike dhe multikulturore

Në mesin e protestueve maqedonas ka qenë i pranishëm edhe kryetari i partisë nacionaliste TMORO, Strasho Angellkovski. Ai i jep arsyet e daljes në protestë:

“Projekti i shteteve multietnike dhe multikulturore definistivisht po zhduket. Maqedonia duhet të jetë shtet nacional i popullit maqedonas, ndërsa minoritetet duhet t'i gëzojnë të drejtat që i përkasin me konventat për minoritetet dhe asgjë më tepër.”

Pas incidentit të djeshëm, kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ka thënë se çdo dhunë pavarësisht se nga cila palë vjen, patjetër duhet të dënohet.

“U bëj apel të gjithëve, se nuk guxojnë incidentet e këtilla t'i shfrytëzojnë për qëllime politike. Ne nuk do të lejojmë që dikush në raste të këtilla të manipulojë me ndjenjat e qytetarëve dhe t'i shfrytëzojë ato për interesat politike,” është shpreh kryeministri Gruevski.

Marrëdhëniet ndëretnike të mos keqpërdoren për çështje politike

Partia maqedonase opozitare, LSDM, vlerëson se marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni, janë tensionuar në masë të madhe. Kjo parti ka kërkuar përgjegjësi nga Ministria e Punëve të Brendeshme.

“Kërkojmë dorheqjen e menjëhershme të Ministrit dhe zëvëndësministrit të Punëve të Brendshme. Incidenti i mbrëmshëm tregon se policia nuk e ka kryer punën e saj dhe nuk kanë ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë për të ndaluar incidentet ndëretnike”, vlerëson Emillijan Stankoviq, zëdhënës i Lidhjes socialdemokrate.

Qeveria e Maqedonisë ka mbajtur mbledhje urgjente në të cilën është diskutuar për incidentin në Kalanë e Shkupit. Në një deklaratë të përbashkët të partnerëve të koalicionit qeveritar thuhet se incidenti në kalanë e Shkupit duhet të dënohet dhe se çështjet e këtilla të ndjeshme duhet dhe mund të zgjidhen vetëm me dialog të hapur politik në insitucionet e sistemit.

Ambasada e SHBA-ve në Maqedoni dhe Zyra e Bashkimit Evropian kanë bërë apel që problemet të zgjidhen përmes dialogut politik dhe marrëdhëniet ndëretnike të mos keqpërdoren për çështje politike.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Esat Ahmeti