Europarat
10 Gusht 2009Nën drejtimin e Çërçillit përfaqësues nga 16 vende skicuan projektin e një bashkimi evropian
Në maj 1948, nën drejtimin e Çërçillit u mblodhën në Hagë për një kongres evropian, përfaqësues nga 16 vende për të skicuar projektin e një bashkimi evropian. Qëllimi: krijimi i një bashkësie evropiane, i një mbledhjeje konsultative dhe një Gjykate Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Një vit më vonë, në maj 1949, u themelua në Londër Këshilli i Evropës. Ndër shtetet nënshkruese bënin pjesë Belgjika, Danimarka, Franca, Britania e Madhe, Irlanda, Italia, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia dhe Suedia.
10 gusht 1949: në Strasburg hapet seanca e parë e Asamblesë Konsultative të Këshillit të Evropës
Francezi Edouard Herriot hapi më 10 gusht 1949 në Universitetin e Strasburgut seancën e parë të Asamblesë Konsultative të KE-së. Diplomati belg Paul Henri Spaak u zgjodh njëzëri si president i parë i kësaj asambleje. Spaak konsiderohej si një ndër arkitektët e bashkëpunimit evropian dhe transatlantik.
Përveç asamblesë konsultative, organi i dytë qendror i Këshillit të Evropës është Këshilli i Ministrave. Në të dërgohen si rregull ministrat e Jashtëm të secilit vend. Kryesia e Këshillit të Ministrave ndryshon në çdo gjashtë muaj. Aktualisht atë e kryeson Sllovenia.
Këshilli i Evropës mbështet të drejtat e njeriut, demokracinë pluraliste dhe shtetin juridik
Këshilli i Evropës kishte që në fillim detyrën që të nxiste bashkëpunimin evropian dhe sikurse thuhet në kartën e themelimit ai drejtohet prej "idealeve dhe parimeve të përbashkëta të bashkësisë së popujve evropianë." Ndër to bëjnë pjesë në radhë të parë bashkëekzistenca paqësore, mbështetja e të drejtave të njeriut, demokracia pluraliste dhe shteti i së drejtës.
Si institucioni i parë mbarëevropian, Këshilli i Evropës u konceptua si instrument për përpilimin e marrëveshjeve të përbashkëta në sektorët ekonomikë, ligjorë, socialë dhe kulturorë, si një platformë evropiane për shkëmbimin e mendimeve. Pikërëndesa e punës së Këshillit të Evropës është sot në fushën e të drejtave të njeriut dhe nxitjen e proceseve të demokratizimit.
KE u bë pas përfundimit të konfliktit Lindje-Perëndim një forum evropian gjithëpërfshirës
Këshilli i Evropës ishte motori i Konventës Evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, nënshkruar në nëntor 1950. KE duhet të përcaktonte gjithashtu edhe direktivat për një Evropë demokratike. Fillimisht një klub ekskluziv i demokracive evropiano-perëndimore, KE u bë pas përfundimit të konfliktit Lindje-Perëndim një forum evropian gjithëpërfshirës, në të cilin bëjnë pjesë të gjitha shtetet evropiane, me përjashtim të Bjellorusisë. Në KE kanë statusin e vëzhguesit edhe disa shtete jo-evropiane si Izraeli, Meksika dhe SHBA.
Themelimi i KE para 60 vjetësh u bë me nismën e SHBA. Deri sot rëndësia e KE qëndron para së gjithash në strukturën e tij që përfshin të gjithë kontinentin. Kështu edhe pse ende deri sot jo anëtare e BE-së, Turqia është që në vitin 1949 anëtare e KE.
Pa Këshillin e Evropës lëvizja për bashkimin e Evropës as që mund të çohej nëpër mend
Këshilli i Evropës përdor të njëjtin flamur dhe himn si BE-ja - por de facto është BE- ai që i ka marrë ato prej Këshillit të Evropës. Por këto institucione nuk punojnë institucionalisht së bashku.
Këshilli i Evropës ka bashkëpunuar në ndryshimin e statusit të vendit të pushtuar për Gjermaninë
Pa Këshillin e Evropës lëvizja për bashkimin e Evropës as që mund të çohej nëpër mend. Një funksion tjetër i dikurshëm i kësaj organizate qe lidhja dhe afrimi i Gjermanisë në rendin evropian të pasluftës. Kështu
Këshilli i Evropës ka bashkëpunuar në ndryshimin e statusit të vendit të pushtuar për Gjermaninë. Njëkohësisht ai i ofroi Republikës Federale Gjermane, ende të re në moshë, një forum të parë ndërkombëtar. Aktualisht Këshilli i Evropës përfshin 47 vende. Anëtari më i ri është Republika e Malit të Zi.
Autor: Daniel Sheshkevic/Pandeli Pani
Redaktoi: Auron Dodi