1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jerzy Buzek - Një evropiano-lindor në krye të Parlamentit të BE-së

15 Korrik 2009

Jerzy Buzek u zgjodh të martën (14.7.) kryetar i Parlamentit të BE-së. Politikani konservator polak synon t'ua sjellë më pranë Evropën qytetarëve të BE-së.

https://p.dw.com/p/IpVW
Jerzy Buzek - Kryetari i ri i Parlamentit të Bashkimit EvropianFotografi: picture-alliance/dpa

Koha ka ardhur tamam për një evropiano-lindor në krye të parlamentit të Evropës. Këtë e mendon një pjesë e madhe e deputetëve evropianë. Që në raundin e parë të votimit ata e zgjodhën me një shumicë të madhe votash, përtej kufijve partiakë polakun Jerzy Buzek. Ky është vërtet edhe rezultat i një marrëveshjeje midis dy grupeve parlamentare më të forta, kristjandemokratëve dhe socialistëve, të cilët duan ta ndajnë sërish periudhën legjislative. Megjithatë, aprovimi për Buzekun ishte vecanërisht i qartë dhe kjo u vu re edhe në deklaratat e kryetarëve të grupeve parlamentare.

Ndërrim në çastin e duhur

Ndoshta ndërrimi në krye të Parlamentit Evropian vjen tamam në çastin e duhur. Vërtet që kristjandemokrati gjerman, Hans Gert Pëtering nuk ishte president i keq parlamenti. Por ai përfaqësonte BE të vjetër, atë me vulë perëndimore, të voglin, të rehatshmin BE.

Buzeku simbolizon të renë. Kjo e Re u ka prishur qetësinë shumë njerëzve në shtetet e vjetra anëtare, sepse e ka bërë kaq të paparashikueshëm BE. Por pikërisht kjo e Re mund t'i injektojë jetë të re Bashkimit Evropian.

Ndikimi i Parlamentit Evropian është në rritje

Europaparlament Straßburg
Parlamenti i Bashkimit Evropian në StrasburgFotografi: AP

Në zgjedhjet e fundit evropiane pjesëmarrja ishte edhe më e vogël se vitet e mëparshme. Që prej zgjedhjeve të para të drejtpërdrejta në vitin 1979, pjesëmarrja në zgjedhje ka ardhur duke u ulur. Mesatarisht më pak se gjysma e personave me të drejtë vote u mjaftuan të shkojnë në kutitë e votimit, e kjo megjithëse ndikimi i Parlamentit Evropian është vazhdimisht në rritje. Në atdheun e Jerzy Buzekut, në Poloni, si dhe në shumicën e vendeve të reja anëtare në Lindje pjesëmarrja ishte edhe më e ulët. Por Buzeku e di ndoshta më mirë se shumë prej kolegëve të tij, se pse situata është e tillë. Dhe prandaj ai mund të përfaqësonte një pjesë të zgjidhjes.

Për Evropën ia vlen të angazhohesh

Buzeku foli me këmbëngulje për një krizë besimi ndaj Parlamentit. Ky institucion duhet t'u afrohet edhe më shumë njerëzve dhe problemeve të tyre, kërkoi ai. Më lehtë edhe se në parlamentet kombëtare, si europarlamentar mund të jetosh në një botë tënden, fizikisht dhe psikikisht larg nga njerëzit, interesat e të cilëve duhet t'i përfaqësosh. Dhe në fushatën elektorale është vënë re që shumë as nuk mundohen që t'i arrijnë njerëzit.

Buzeku nuk dëshiron të mjaftohet me kaq. Ndoshta, bindja e tij politike për Evropën mbërrin te ne para së gjithash kaq autentike, sepse ai e njeh kaq mirë sistemin totalitar. Ai e di sa ka kushtuar kapërcimi i tij.

Për Evropën ia vlen të angazhohesh. Ndoshta ajo ka nevojë për njerëz si Buzeku, në mënyrë që një fjalë nga fjalimet e të dielave të kthehet në një fjali të shqiptuar me bindjen më të thellë.

Autorë: Christoph Hasselbach/ Auron Dodi

Redaktoi: Sonila Harasani