Jaap de Scheffer përgëzoi qeverinë e Shkupit për reformat e ndërmarra deri më sot | Evropa | DW | 14.02.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Jaap de Scheffer përgëzoi qeverinë e Shkupit për reformat e ndërmarra deri më sot

Megjithëse problemet ndëretnike në Maqedoni, të cilat për pak sa nuk shkaktuan një luftë tjetër civile në këtë ish -republikë jugosllave, ende nuk janë zgjidhur përfundimisht, prapë se prapë Maqedonia është duke ecur me shpejtësi drejt integrimeve euroatlantike

Dita e sotme dëshmon pikërisht këtë turravrap të Shkupit drejt Brukselit. Kryeministri maqedonas, Vllado Buçkovski, zëvendëskryeministri Musa Xhaferri, ministrja e jashtme Ilinka Mitreva etj ndodhen të gjithë sot në kryeqytetin e Bashkimit Europian ku pritet të zhvillojnë takime të nivelit të lartë me përfaqësuesit e institucioneve euroatlantike. Sot paradite ekipi qeveritar maqedonas u prit nga sekretari i përgjithshëm i Aleancës Atlantike, me të cilin diskutoi hapat e mëtejshëm që duhen hedhur derisa Maqedonia të anëtarësohet në NATO. Jaap de Scheffer pasi e përgëzoi qeverinë e Shkupit për reformat e ndërmarra deri më sot, bëri thirrje që të vazhdohet me përkushtim në këtë rrugë duke përfshirë këtu edhe reformimin e administratës, të forcave ushtarake, luftimin e korrupsionit etj. Por shefi i NATO-s nuk pranoi kurrsesi të shprehej mbi datën e mundshme të pranimit të Maqedonisë në gjirin e Aleancës Atlantike. Ai vetëm tha se në samitin euroatlantik të javës së ardhshme, në të cilin do të marri pjesë edhe presidenti amerikan Bush, nuk do të bëhet fjalë për zgjerimin e mëtejshëm të Aleancës, duke shtuar me këtë rast se ai nuk e di se në cilin samit të ardhshëm do të shqyrtohet procesi i zgjerimit të mëtejshëm të NATO-s. Siç dihet Maqedonia, së bashku me Kroacinë dhe Shqipërinë, janë tri vendet kandidate për anëtarësim në gjirin e Aleancës Atlantike. Por ndofta hapja e Ukrainës me Perëndimin mund ta prishë disi këtë trajektore, pasi NATO po dëshmon tani një interes të veçantë ndaj kapaciteteve ushtarake të Kievit. Gjatë konferencës së shtypit që Jaap de Scheffer dhe Buçkovski dhanë sot në selinë e NATO-s në Bruksel, u bë fjalë gjithashtu edhe për propozimin e kancelarit gjerman Gerhard Shrëder, për të krijuar një instancë të veçantë për të diskutuar marrëdhëniet ndëratlantike. Shefi i NATO-s e hodhi poshtë këtë propozim duke ngritur lart rolin dhe reformat modernizuese të ndërmarra nga Aleanca Atlantike këto vitet e fundit.Menjëherë pas takimit me zyrtarët e lartë të NATO-s delegacioni qeveritar maqedonas u takua këtë pasdite me kryetarin e Komisionit Europian Hoze Manuel Barroso, të cilit i paraqiti përgjigjet e pyetësorit që BE-ja ia kishte parashtruar Shkupit muaj më parë. Madje ky ishte momenti vendimtar dhe qëllimi kryesor i ardhjes në Bruksel të delegacionit qeveritar nga Shkupi.Nga vlerësimi i këtyre përgjigjeve varet edhe fillimi i procesit të bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Europian, anëtarësim parashikohet të ngjasë rreth vitit 2010.Nesër delegacioni maqedonas do të zhvillojë takime edhe me shefin e politikës së jashtme të BE-së, Havier Solanën si dhe me presidentin e Parlamentit Europian, Borrel.


  • Data 14.02.2005
  • Autor Viron Gjymshana
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArF6
  • Data 14.02.2005
  • Autor Viron Gjymshana
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArF6