Ish-miniera e Esenit - vend i preferuar për dizajnerët | Evropa | DW | 04.07.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ish-miniera e Esenit - vend i preferuar për dizajnerët

Në vitin 1986 u mbyll miniera e Esenit Zollverein. Për shkak të arkitekturës së saj industriale të veçantë miniera nuk u shkatërrua por u vendos nën mbrojtjen e monumenteve. Në vitin 2001 kjo minierë u pranua në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, një plus vendimtar për kandidimin e suksesshëm të Esenit si kryeqytet kulturor i Evropës në vitin 2010

Nga qymyri tek kultura, Eseni kryqyteti kulturor europian 2010

Nga qymyri tek kultura, Eseni kryqyteti kulturor europian 2010

"Ky është vendi ku kanë punuar më parë me qymyrin, ku kanë nxjerrë qymyr. Tani, s'e di, është trashëgimi."

Një "trashëgimi e kulturës botërore" është ky vend madje, i zgjedhur nga 16 vjeçari Agim nga Shqipëria dhe shoqja e tij gjermane. Të dy rrinë ulur në një vend të qetë diku midis ndërtesave të përhapura në sipërfaqe të gjera të minierës së Esenit, Zeche Zollverein. Ata bëjnë pjesë në 500 mijë vetët, që vizitojnë çdo vit këtë, sipas mendimit të ekspertëve, "minierë më të bukur të botës".

Ajo është vepra mjeshtërore e dy arkitektëve Fritz Schrupp dhe Martin Kremer. Në vitin 1925 ata morën porosinë që ta modernizojnë minierën e Esenit, të themeluar që në vitin 1847 me emrin "Zollverein"- bashkim doganor dhe ta organizojnë atë ndryshe.

Simbol i arealit prej një kilometri katror është kulla 56 m e nxjerrjes së qymyrit, rrotat gjigante me litarë të së cilës e nxirrnin qymyrin në sipërfaqe prej 1000 m thellësi. I ashtuquajturi "skelet i dyfishtë" qëndron me këmbë pak të hapura si karrige mbi kullën e nxjerrjes së qymyrit. Për shkak të elegancës të konstruktit të kuq dhe kafe, makineria gjigante të lë përshtypje elegance dhe madhështie njëkohësisht.

Krahas kullës së nxjerrjes nga ansambli i ndërtesave dallohet e ashtuquajtura "shtëpi-kazan". Shumica e ndërtesave janë konceptuar në mënyrë të rreptë gjeometrike si kuba me fasada tjegullash. Shtëpia kazan i shërbente më parë furnizimit me energji dhe ngrohtësi të minierës dhe sot është rezidencë e qendrës së dizajnit Nordrhein-Vestfalen dhe të muzeut "Red Dot"- Dizajn, të stilizuar nga arkitekti anglez Norman Foster.

Përmes akseve vizuale të drejta dhe një organizimi shkallë-shkallë të fasadës, arkitektët atëherë e kthyen shtëpinë e kazanit, 50 m të lartë në një, si të thuash, kishë të minierës- një oxhak, tashmë i rrëzuar, në sfond, e përforconte edhe më tepër këtë ide.

A i kuptonin më parë minatorët këto superlativa estetike? Ish-minatori Gynter Stoppa: "Jo, fare. Për ne kjo ishte minierë dhe kjo këtu ndërtesë, këto qenë ndërtuar në përputhje me qëllimin. Këtë ndërtesë ne në fakt e kemi parë vetëm si minierë. Këtu nxirresh qymyr, qymyri përpunohej dhe shitej."

Stoppa më parë ka qenë përgjegjës për menaxhimin e godinave të minierës. Prej pesë vjetësh ai bën shoqërime vizitorësh në territorin e minierës. Pas pranimit të minierës në fondin e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s në vitin 2001, interesi për ta vizituar minierën u rrit në mënyrë të jashtëzakonshme, kështu që gjithnjë e më tepër janë studentë ata që i shoqërojnë vizitorët në botën e qymyrit:

Por jo vetëm shoqërimet dhe aktivitete të shumta kulturore e mbushin minierën me jetë të re, edhe dizajnerët e kanë zbuluar territorin si zonë të përshtatshme për punën e tyre. Menjëherë pas mbylljes së minierës në vitin 1986, kur i gjithë areali u vendos nën mbrojtjen e monumenteve, qyteti i Esenit dhe landi i Rhenanisë Veriore-Vestfalisë e kuptuan dhe filluan ta nxisin potencialin e zonës për aktivitete të reja ekonomike.

Mbi 100 sipërmarrje nga fusha e dizajnit kanë zënë vend tani në territorin e ish-minierës. Një impuls i vecantë shpresohet të arrihet nga panairi botëror i dizajnimit "Entry", i cili që prej fundit të gushtit do të zhvillohet për 100 ditë me radhë, deri në fillim të dhjetorit në ndërtesën e vjetër të modifikuar të larjes së qymyrit.

Susanne Lengyel nga "School of managment and design" përshkruan të vecantën e këtij vendi:"Eshtë ambjenti kreativ. Pamja e këtij vendi nuk është thjesht "zero-tetë-15", pra e zakonshme, por i gjithë territori është stilizuar. Kemi të bëjmë me një zonë shumë të vjetër dhe mbi të mund të ndërtosh. Po gjithmonë të zë syri diçka të re. Thjesht ke të bësh me ambjent kreativ! Plusi i madh është se kur mblidhen shumë forca, këtu gjithçka bubullon. Ka një atmosferë jashtëzakonisht të mirë. Këtu nuk je si në parqe të tjera me dyqane, ku ulesh pranë tjetrit, këtu jeton së bashku me tjetrin."

Në një kohë që dizajnuesit zhvillojnë ndoshta ide për rrugë transporti për nesër ose pasnesër, vizitori mund të mësojë në shirita të gjatë konvejeri rrugën historike të qymyrit.

Një litar e tërheq automjetin e vogël mbi shina në çatinë e ndërtesës, ku më parë, në një nxehtësi prej 1000 gradë, të shoqëruar nga avuj dhe pluhura të mëdhenj, qymyri koksifikohej për të prodhuar hekur dhe celik. Këtu mund të rrëshkasësh me vështrim mbi të gjithë trashëgiminë botërore, mbi godinat e vjetra dhe të reja, edhe mbi pejzazhin çuditërisht të gjelbër të zonës së Ruhrit.

  • Data 04.07.2006
  • Autor Hans Spross
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArAj
  • Data 04.07.2006
  • Autor Hans Spross
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArAj