1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Investimet në veri të Kosovës

7 Shtator 2010

Qeveria do të investojë në veri të Kosovës mbi 5 milionë euro. Ato janë pjesë e strategjisë për integrimin e veriut. Por investimet e qeverisë nuk mirëpriten nga përfaqësuesit e serbëve, që shfaqin mosbesim për qeverinë

https://p.dw.com/p/P5wA
Fotografi: DW

Qeveria e Kosovës është e vendosur të zbatojë planin e saj për investime në veri të Kosovës. Zbatimi i këtij plani do të fillojë qysh javën e ardhshme dhe shuma e parë do të jetë 400 mijë euro, nga pesë milionë sa parashihet të investohen në këtë rajon të banuar më shumicë serbe. Fondet e para do të investohen në rregullimin e infrastrukturës rrugore, në ndriçim publik dhe ndihma familjeve me gjendje të rëndë sociale.

Kosovska Mitrovica
Fotografi: DW

Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Ramë Manaj, thotë se qeveria e Kosovës ka kohë që ka hartuar stategjinë për veriun e Kosovës dhe pjesë e kësaj strategjie janë edhe këto investime.

“Me shumë investime për përmirësim të jetës së këtyre qytetarëve dhe për ngritje të mirëqenies së tyre, në mënyrë që kjo të ndikojë dhe do të ndikojë padyshim te qytetarët për ta njohur, për ta pranuar dhe për t'u integruar në realietin e ri të krijuar në Kosovë”, thotë Ramë Manaj.

Rame Manaj
Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Ramë ManajFotografi: DW

Ivanoviq: Investimi i qeverisë së Kosovës te serbët vetëm sa ngjall dyshime shtesë

Plani i investimeve të qeverisë së Kosovës në veri të vendit nuk është mirëpritur nga përfaqësuesit e serbëve të veriut. Sekretari i shtetit për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq, thotë se investimi i qeverisë së Kosovës te serbët vetëm sa ngjall dyshime shtesë.

“Unë mendoj se nëse qeveria e Kosovës vërtetë dëshiron që të ndihmojë bashkësinë serbe, duhet të shfrytëzojë ndërmjetësimin. BE-ja me mjetet e saj duhet të ndihmojë bashkësinë serbe, ashtu siç ka bërë deri tani me ndihmat, që i ka dhënë shqiptarëve të Kosovës”, thotë Oliver Ivanoviq.

“Nuk ka përmirësim në një afat të shkurtër dhe as ndryshimi momental i qëndrimit nuk mund të rikthejë besimin. Deri tek besimi arrihet në një afat më të gjatë kohor dhe shkatërrohet për një kohë të shkurtër. Ne tani jemi në një gjendje të besimit të shkatërruar, prandaj ndihma prej disa miliona eurosh nuk është diçka, që do të mund të ndryshonte mendimin e serbëve për qëllimet e mira, ose të këqija të shqiptarëve të Kosovës“, thotë Oliver Ivanoviq.

Kosovo Mitrovica
Fotografi: DW

Investimet e qeverisë së Kosovës në veri të vendit po bëhen krahas përgatitjeve për krijimin e komunës së veriut të Mitrovicës, e paraparë në planin e Marti Ahtisarit. Qeveria e Kosovës së bashku me zyrën civile ndërkombëtare tashmë kanë krijuar ekipin përgatitor për krijimin e komunës së Mitrovicës, mirëpo akoma nuk janë në gjendje të thonë se kur do të caktohet data e mbajtjes së zgjedhjeve. Komuna e re e Mitrovicës do të ketë fond të veçantë. Katër komuna të reja serbe në rajone tjera të Kosovës tashmë janë krijuar në bazë të planit të Marti Ahtisarit, ndërsa ka mbetur vetëm veriu i Mitrovicës rajoni, ku akoma institucionet e Kosovës nuk po mund të shtrijnë të plotë autoritetin e tyre.

Autor: Bekim Shehu.

Redaktoi: Angjelina Verbica