1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Humbje e besueshmërisë!

Marcel Fyrstenau25 Shkurt 2006

Afera e shërbimit informativ gjerman në Irak dhe shqyrtimi i saj parlamentar

https://p.dw.com/p/Aqqq
Pamje nga hyrja në Shërbimin informativ gjerman
Pamje nga hyrja në Shërbimin informativ gjermanFotografi: AP

Qeveria gjermane në raportin e botuar nga mesi i javës, mbi shërbimin informativ, (BND)dhe përfshirjen e tij gjatë luftës në IRak, ka mbrojtur procedimin e saj dhe i ka hedhur poshtë kritikat. Në tekstin 90 faqësh, qeveria hedh poshtë akuzat, se shërbimi informtaiv gjerman ka ndihmuar SHBA-të në përzgjedhjen e objektivave ushtarake. Dy agjentët e stacionuar në Bagdat kanë dhënë vetëm informata mbi objektet që duheshin mbrojtur. Ndërsa lidhur me rastin e rrëmbimit të libanezo-gjermanit, Khaled El-Masri nga CIA, autoritetet gjermane u informuan vetëm pas kthimit të tij- thuhet në raport.
Megjithë përpjekjen e qeverisë gjermane për të sqaruar aferën e shërbimit informativ, mund të ndodhë që të ngrihet një grup hetimor parlamentar. Të gjelbrit në Gjermani e kanë kërkuar krijimin e një grupi parlamentar për hetimin e çështjes. Për këtë duhet veçse të ndryshohet ligji, me qëllim që parlamenti të lejohet të hetojë disa nga aktivitetet e shërbimeve sekrete gjermane, kometon Deustche Welle:


Në të vërtetë do të ishte zgjidhja më e mirë që të hiqej dorë nga ngritja e një grupi hetimor parlamentar. Do të ishte iluzion të besoje, se përmes tij do të hidhej dritë më shumë në labirintin e informacioneve të shërbimit sekret. Kush shpreson për këtë nuk e ka kuptuar thelbin e shërbimeve sekrete. Kjo nuk do të thotë, se afera e shërbimit sekret përfundoi me "happy-end". Përkundrazi: Qeveria dhe opozita akoma duhet të dëshmojnë, se ato kanë mësuar nga strategjia e lojës si macja me miun. Sepse pikërisht kështu do të veprohej, nëse do të reformohej ligji mbi instancën e kontrollit parlamentar.


Nuk mundet dhe nuk lejohet që në një demokraci një grup i vogël deputetësh të përcillet sa për sy e faqe nga qeveria dhe autoritete të tjera duke i dhënë informata të holluara dhe gjysmë të vërteta. Aq më tepër kjo nuk duhet të ndodhë, kur është hedhur indirekt akuza e përfshirjes në luftë. Çështja shtrohet qartë; Çfarë roli kanë luajtur, agjentët e shërbimit sekret. Detyra e opozitës është që të bindë fraksionet qeveritare për domosdoshmërinë e një reforme në ligj. Me këtë nuk do të garantohej që të ndaloheshin në të ardhmen prapaskena të dyshimta apo ilegale. Por barriera e përgjegjësisë do të rritej.


Besueshmëria tek koalicioni i dikurshëm qeveritar i socialdemokratëve me Gerhard Shrëderin dhe ekologjistëve me Joshka Fisherin është cënuar së tepërmi. Nga ana tjetër unioni kristiandemokrat pjesë e qeverisë, nuk do lëndohej aq po t'i thuhej, se vetë ai po të kishte qenë në opozitë do të kërkonte krijimin e një grupi hetimor parlamentar.

Qeveria e koalicionit të madh, kristiandemokratë e socialdemokratë duhet të përpiqet për të fituar besueshmërinë dhe për të rritur shkallën e saj. Kur kancelarja Angela Merkel flet kundër burgjeve të Guantanamos, që bien ndesh me nocionin e së drejtës në Evropë dhe Gjermani, atëherë politikanët gjermanë nuk duhet të pranojnë që agjentë të shërbimit sekret të marrin në pyetje të burgosur në shtete jodemokratike si Siria.


Kush do të lejojë një gjë të tillë edhe në të ardhmen, nuk duhet të çuditet, që gjithnjë e më shumë humbet besimi në mënyrën e veprimit të shërbimeve sekrete në epokën e terrorizmit mbarëbotëror.