1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Horst Këler u zgjodh president i ri i Gjermanisë

Auron Dodi23 Maj 2004

Në fjalën e tij pas zgjedhjes, Këleri tha se Gjermania jeton vite të hedhjes së fondamenteve të reja

https://p.dw.com/p/AqvD
Presidenti i ri i Gjermanisë, Horst Këler
Presidenti i ri i Gjermanisë, Horst KëlerFotografi: AP


Kandidati i partive opozitare gjermane, Horst Këler u zgjodh në raundin e parë si president i ri i Gjermanisë. 604 nga 1 mijë e 204 delegatët e pranishëm votuan për ish-drejtorin e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Pra vetëm një deputet më shumë se sa do të ishte e nevojshme që partitë opozitare të arrinin shumicën absolute të votave. Partia Kristjandemokrate dhe Partia Kristjansociale si dhe Liberalët përfaqësonin së bashku 622 anëtarë të forumit zgjedhor. Kjo do të thotë se të paktën 18 delegatë nga të dyja fraksionet votuan kundër Këlerit. Për kandidaten e koalicionit qeveritar, Gesine Shvan votuan 589 zgjedhës. Kështu ajo mori 14 vota më pak se sa do të ishin të nevojshme për shumicën absolute. Por meqenëse socialdemokratët dhe të Gjelbrit përfaqësoheshin me 548 delegatë, për Shvanin del që kanë votuar edhe 41 deputetë nga parti të tjera.
Pas zgjedhjes në post, Këleri tha se ai dëshiron të jetë "president i të gjithë gjermanëve dhe president për të gjithë njerëzit që jetojnë këtu." Më tej ai tha:

"Me të vërtetë unë e konsideroj një ripërtëritje rrënjësore të vendit tonë si të nevojshme dhe që duhej të qe bërë me kohë."

Këleri u tregua i preokupuar për gjendjen e ekonomisë gjermane, të tregut të punës dhe të sigurisë sociale. "Unë shoh në shoqërinë tonë edhe tendenca të papranueshme përcarjeje", tha ai. Për të shtuar se Gjermania e ka forcën për të ndryshuar. Por për ta shpalosur këtë forcë, sipas Këlerit, Gjermania duhet të kapërcejë frikën dhe të rifitojë besimin në vetvete:

"Gjermania duhet të bëhet një vend i ideve. Në shekullin e 21-të kjo është më tepër se të jesh vend i poetëve dhe mendimtarëve, më shumë se Made in Germany, më shumë se virtytet tipike gjermane.Gjermania një vend i ideve është në përfytyrimin tim e barabartë me kureshtje dhe të eksperimentuar, kjo do të thotë guxim, kreativitet dhe dëshirë për të renë, pa përjashtuar të vjetrën".

Horst Këleri tha se Gjermania jeton vite të hedhjes së fondamenteve të reja. Ai shtoi edhe nevojën që Gjermania të bëhet më suportive për fëmijët dhe familjet.

"Gjermania, një vend i ideve, për mua është në radhë të parë një vend për fëmijët. Si është e mundur që ne në Gjermani kemi gjithnjë e më pak fëmijë? Nuk besojmë më në të ardhmen tonë? Fëmijët do të thonë kureshtje, kreativitet dhe optimizëm".

Për këtë presidenti i ri gjerman kërkoi të gjenden rrugë për të mbështetur më mirë punën e prindërve dhe për të koordinuar më mirë familjen me profesionin. Por njëkohësisht ai tha se nuk duhen harruar edhe të vjetrit.

Gjermania mund të nxjerrë edhe më tej dobi nga globalizimi, tha Horst Këler. Por ne duhet të punojmë që shumë që nga globalizimi të përfitojnë të varfrit e kësaj bote. Gjermania duhet të ndërgjegjësohet për rrënjët e saj kulturore dhe fetare.

"Unë kam përjetuar përvojën që patriotizmi dhe të qenit të hapur ndaj botës nuk janë të kundërta, ato e kushtëzojnë njera-tjetrën. Vetëm ai që respekton veten, respekton edhe të tjerët."

Horst Këleri do ta marrë detyrën e presidentit gjerman në datën 1 korrik nga Johanes Rau.