Horst Këhler rizgjidhet president i Gjermanisë
23 Maj 2009Rezultat më i ngushtë nuk mund të bëhej: 613 vota i duheshin presidentit aktual të Gjermanisë Horst Këhlerit, për t'u konfirmuar në post edhe për pesëvjeçarin në vazhdim, dhe po aq mblodhi
Në votimin e Asamblesë Federale që u zhvillua në ndërtesën e Rajshtagut morën pjesë 1223 delegatët nga e gjithë Gjermania. Horst Këhler, i cili gjatë votimit ishte larguar nga ndërtesa, u duk mjaft i lehtësuar kur dëgjoi këtë rezultat.
"I pres me gëzim vitet e ardhshme dhe ju premtoj, se edhe më tej do të jap maksimumin tim", tha presidenti i ri në fjalën e rastit. Ai përvijoi gjithashtu një pamje optimiste për të ardhmen: "Vendi ynë është në një krizë që ka kapur gjithë botën, por Gjermania është e fortë".
Urimin e parë, presidentit të ri ia dha rivalja e tij kryesore Gesine Schwan (Gesine Shvan). Socialdemokratja Schwan, profesoreshë e shkencave politike, e cila garonte për herë të dytë kundër Këhlerit, arriti të merrte vetëm 503 vota, megjithëse teorikisht me votat e socialdemokratëve dhe të të gjelbërve mund t'i fitonte të paktën 514. Ajo kishte krijuar pakënaqësi tek disa delegatë nga kampi i saj me deklaratat e dhëna kohët e fundit për sistemin komunist të RDGJ-së.
91 vota shkuan në emër të kandidatit Partisë së Majtë, Peter Sodan. Aktori i njohur mori në këtë mënyrë dy vota më shumë se numri i delegatëve të majtë në asamble. Përveç tyre në garë ishte edhe një kandidat i partisë së djathtë "Unioni Popullor Gjerman", i cili mblodhi vetëm katër vota.
Autori: Anila Shuka
Redaktoi: Pandeli Pani