Hija e perandorisë austrohungareze | Evropa | DW | 05.01.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Hija e perandorisë austrohungareze

Që prej 1 janarit Austria ka kryesinë e radhës në këshillin e Bashkimit Evropian. Vëmendje të veçantë i kushtojnë austriakët rajonit të Detit Mesdhe dhe vendeve evropianolindore.

Lufta I Botërore shënoi edhe fundin e perandorisë austrohungareze

Lufta I Botërore shënoi edhe fundin e perandorisë austrohungareze

Një vështrim mbi disa gurë varresh në varrezat qendrore të Vjenës mjafton. Ato janë dëshmi të një trashëgimie shumëkulturore, që rrjedh nga kohët e perandorisë austrohungareze. Këtu gjen emra Klasnic pranë atyre Nagy, Deutschbauer pranë Hojac. Së fundi në varrezat e dyta për nga madhësia në Evropë u përurua një sektor budist, pranë tij ka për shembull një sektor hebre dhe një grekoortodoks.

Që pikërisht në Vjenë jetojnë shumë familje, paraardhësit e të cilave erdhën në metropol nga vendet e perandorisë austrohungareze, këtë siç dihet e tregon edhe një shikim i numëratorit telefonik. Thuajse në çdo faqe gjen emra hungarezë, polakë, çekë, serbë apo bosnjakë.

Familja e shkrimtarit dhe eseistit nga Salsburgu Karl-Markus Gauss e ka prejardhjen në Vojvodinë, në Serbinë e sotme. Pikërisht në Austri Gauss vëzhgon se shumë nga bashkëatdhetarët e tij parapëlqejnë ta harrojnë të kaluarën e tyre:

"Është plot me emra sllavë, por këta njerëz me emra sllavë janë gjithnjë modernizuesit më entuziastë alla perëndimorë dhe as që duan t'ia dinë për vendet nga vijnë gjyshërit e tyre."

Ballkanin ku jetojnë ata që ende quhen me përbuzje "Tschuschen, çushët" donin ta harronin. E kaluara imperialiste, habsburgët, as që mund të ndaheshin nga kapitujt e fundit tragjikë të perandorisë austrohungareze. Pa të drejtë, thotë Gauss, i cili sa vjen dhe e sheh me më pak kritikë këtë formë të hershme të shoqërisë shumëkulturore:

"Naytrisht që nuk jam kthyer aspak në rojalist, por mendoj se monarkia e habsburgëve nuk ishte ajo që më vonë u quajt burgu i popujve."

Ndoshta prej ngjarjeve tragjike të luftërave në Jugosllavi ose ndoshta prej fundit të regjimeve komuniste dhe hapjes së Evropës: Austria dhe para së gjithash Vjena ka mbetur njëfarë qendre kulturore për shumë njerëz nga Hungaria, Rumania, Serbia. Qindra mijëra njerëz nga republikat e ish-Jugosllavisë ndjehen mirë këtu, pavarësisht titujve shpesh hapur ksenofobë të gazetave bulevardeske dhe votave për partinë FPÖ me politikën e saj patriotike.

  • Data 05.01.2006
  • Autor Gerwald Herter
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArCP
  • Data 05.01.2006
  • Autor Gerwald Herter
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArCP