Hapet në Kosovë qendra koordinuese serbe
17 Shtator 2008Ministri serb për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç, hapi në Gracanicë jo larg Prishtinës, qendrën koordinuese serbe për Kosovën. Sipas tij, kjo qendër koordinuese do të kryej shërbime të qeverisë së Serbisë, e cila dëshiron që të jetë sa më afër serbëve të Kosovës.
Vizita në Kosovë e ministrit, Bogdanoviç, realizohet me leje të UNMIK-ut. Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç dhe shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannieri, disa herë janë takuar në kuadër të bisedave teknike Prishtinë Beograd.
Qeveria e Kosovës pranon të përfshihet në këto biseda, por vetëm nëse Prishtina dhe Beogradi, bisedojnë në cilësinë e dy vendeve fqinjë. Hashim Thaçi kryeministër, thotë se Kosova është e interesuar që të ketë marrëdhënie të mira me të gjitha vendet fqinjë të Kosovës. "Ne jemi të interesuar si qeveri e Republikës së Kosovës, që të ndërtojmë raporte të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit. Presim që Maqedonia dhe Mali i zi të mos vonohen me njohjen e pavarësië së Kosovës. Në kuadër të fqinjësisë së mirë, Prishtina dhe Beogradi mund të bisedojnë si dy vende fqinjë", thotë kryeministri Thaçi.