1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hansa Stavanger lirohet nga duart e piratëve somalezë

4 Gusht 2009

Lirimi i anijes gjermane të transportit "Hansa Stavanger" u bë pas pagimit të një shume parash. Sipas të dhënave të shoqërisë hamburgase të lundrimit Leonhardt & Blumberg anija ka marrë kurs drejt Mombasës në Kenia.

https://p.dw.com/p/J3Pb
Anija çisternë Hansa StavangerFotografi: AP

Pas katër muajsh mbajtjeje peng prej piratëve në brigjet e Somalisë anija gjermane e transportit "Hansa Stavanger" është sërish e lirë. Sipas të dhënave të MPJ në Berlin 24 marinarët në bord janë në gjendje të mirë. Në ekuipazh bëjnë pjesë edhe pesë gjermanë. Anija u kidnapua më 4 prilll mes Kenias dhe Sejshelleve.

Christoph Wand i Lidhjes gjermane të Kapitenëve dhe Oficerëve të Anijeve tha:

"Edhe unë si edhe të afërmit jemi natyrisht të lehtësuar. Eshtë e qartë që kjo ishte një periudhë shumë e vështirë dhe mjaft e ngarkuar. Tani, që dëgjuam këtë lajm, jemi të lehtësuar."

Rrëmbimi i anijes "Hansa Stavanger" bëri të qartë se në këtë mes qeveria gjermane ishte e pafuqishme. Fillimisht u mendua që një fregatë gjermane të çlironte marinarët nga duart e piratëve, por piratët, sapo panë që po afrohej anija luftarake, kërcënuan se do t'i vrisnin të gjithë pengjet dhe për këtë ky plan u anulua. Më pas lindi ideja që marinarët të liroheshin prej një njësie speciale të trupave elitë GSG9. 200 pjesëtarë të kësaj trupe shkuan me avion në Afrikë, por edhe ky aksion shpëtimi nuk arriti të kryhej.

Në qendër të kritikave ishte dhe është shefi i shoqërisë hamburgase të lundrimit Frank Leonhardt, i cili konsedirohet si negociues i fortë dhe të cilin të afërmit e akuzojnë se në negociata e kishte më tepër hallin te shuma, që duhej paguar për lirimin e ekuipazhit të marinarëve, se sa për jetën e tyre.

Autor: Carsten Fick/Pandeli Pani

Redaktoi: Angjelina Verbica