1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermano-lindorja e parë dhe gruaja e parë- kancelare

S.H22 Nëntor 2005

Shtypi i sotëm gjerman fokusohet tek kancelarja e parë në historinë gjermane dhe tek tërheqja e papritur e Ariel Sharonit nga partia e tij Likud.

https://p.dw.com/p/Arsj

Gazeta Tageszeitung nga Berlini shkruan mbi Angela Merkelin:

"Gruaja e parë, gjermano-lindorja e parë dhe kancelarja e parë në historinë gjermane. Angela Merkel ja arriti mbanë, ndonëse në fillim pati njerëz që buzëqeshnin mbi qëllimet e saj. Por edhe tani që ajo po sillet si ndërmjetësuese mes dy partive të mëdha, ka ende zëra që e kritikojnë, ende pa filluar punë. Por ndoshta kjo grua nga Lindja, kjo fizikane me një biografi aspak tipike për politikanët e Gjermanisë Perëndimore, është njeriu i duhur për situatën momentane në Gjermani. Dita kur një grua do të zgjidhet kancelare e vendit, do të kthehet në një ditë historike për Gjermaninë. Le të shpresojmë se në të ardhmen do të kujtohemi me kënaqësi mbi këtë ditë."

Gazeta Handelsblatt komenton:

"Me Angela Merkelin do të hyjë një stil i ri qeveritar në Berlin. Ky stil do të vihet re edhe më qartë kur të jenë zhdukur të gjitha dyshimet dhe Angela Merkel do të ketë filluar zyrtarisht punën e saj. Ajo ofron shanset për një politikë të re në vend, e cila do të mund të funksionojë sërish ashtu siç duhet."

Gazeta Frankfurter Rundschau shkruan:

"Qeveria e vjetër po largohet ashtu si funksionoi, e qetë dhe pa patos. Nuk po ndodhin fjalime të zjarrta mbi kohën e shkuar, por thjesht akte zyrtare. Normalitet: Ndoshta kjo është fjala më e rëndësishme e 7 viteve qeverisje kuq e gjelbër. Tani kjo qeveria nuk do të jetë më. Mëse normal edhe ky fenomen. Mbi Joshka Fisherin kemi javë që nuk dëgjojmë më asnjë fjalë. Gerhard Shröder po i përfundon detyrat e tij si dikush që po i përfundon kontrata. Sigurisht që ndonjëherë shfaqet edhe pak emocion, por në shumicën e rasteve, këto emocione kontrollohen shumë mirë. Të qeverisësh do të thotë të kryesh një punë absolute brenda një afati të caktuar. Pasardhësja është ndoshta gjithashtu një produkt i kësaj qetësie te re gjermane."


Ndryshojmë temë. Gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung shkruan mbi largimin e Sharonit nga rradhët e partisë së tij Likud:

"Hapi i politikanit që nuk ngurroi asnjë çast gjatë verës së kaluar,që të konfrontohet hapur me palestinezët më militantë, është i ngjashëm me nje tërmet politik. Sidomos po të konsiderojmë faktin se partia kundërshtare e punës, bëri gjithashtu një ndryshim thelbësor me Amir Peretz si kryetarin e saj. Tani mbetet të presim se kush nga rradhët e Likudit do të jetë i gatshëm ta shoqërojë Sharonin drejt një rruge krejt të pasigurtë. Deri tani Sharon konsiderohet në Izrael si politikani më i aftë dhe më i dashur nga populli. Ai ka shanse shumë të mira për t´i fituar zgjedhjet e reja. Edhe palestinezët do të votojnë së shpejti. Mbetet të presim nëse edhe tek ta do të fryjë më në fund një fllad i ri politik."

Gazeta Frankfurter Neue Presse komenton:

"Shumë njerëz e akuzuan Sharonin se ai hoqi dorë nga Gaza vetëm për të mbajtur kështu Jordanin Perëndimor, por mesa duket ai do të tërhiqet edhe që aty, duke ju përmbajtur kështu planit të ashtuquajtur "Road Map". Duket paksa ironik fakti se pikërisht gjenerali që konsiderohet si vrasës nga palestinezët, po kthehet në një simbol të shpresës për paqe. Por Sharon e di se nuk mund t´i lejojë vetes asnjë iluzion në lidhje me palestinezët dhe se nuk ka asnjë alternativë tjetër, përveç se të tërhiqet nga zonat e pushtuara. Sharon është i rrethuar nga armiq dhe i varur nga ndihma e amerikanëve. Tani ai duhet të sigurojë sa më parë të ardhmen e vendit të tij."

Dhe së fundi në gazetën Märkische Oderzeitung nga Frankfurti lexojmë:

"Demokracia e vetme në Lindjen e Afërt dhe të Mesme qëndron përpara një dileme të madhe. Në Izrael tani nuk u thye vetëm koalicioni i madh mes bllokut të partisë Likud dhe partisë social demokrate, ç´ka do të sjellë zgjedhje të reja në vend. Tani kryeministri Sharon i ktheu shpinën Likudit dhe do të krijojë një parti të re. Ky hap mund të quhet pa frikë një tërmet i paparë politik."