1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sachverständigenrat

Karl Zawadzky 13 Nëntor 2008

Pesë ekspertët e këshillit të ekonomisë ekspertizën vjetore të prezantuar të mërkurën (12.11.) në Berlin e kanë titulluar „Përballim i krizës financiare, fuqizim i kapaciteteve për rritjen ekonomike“.

https://p.dw.com/p/FtOT

Këshilli i ekspertëve të ekonomisë në Gjermani në ekspertizën e fundit mbi zhvillimin e përgjithshëm vjetor të ekonomisë e sheh vendin para një recesioni. Në fillim të vitit të ardhshëm rendimenti ekonomik nuk do të rritet më, por do të bjerë. Megjithatë gjysma e dytë e vitit 2009 do të ketë përsëri një rritje disi të ngadaltë, që në plan vjetor të thotë stanjacion i ekonomisë.

Kriza globale financiare si dhe vala e shokut e nxitur prej recesionit botëror e kanë kapur ekonominë gjermane në një kohë të papërshtatshme. Hopi i viteve të shkuara po i afrohej fundit. Por në vend të një uljeje të butë koniuktura pësoi një goditje. Brenda pak javësh zhvillimi ekonomik u përkeqësua në përmasa dramatike. Ndonëse kuota mesatare e zhvillimit me 1,7% është e pranueshme, situata aktuale është krejt ndryshe. Zhvillimi ka mbetur në vendnumëro. Industria e automobilëve për shkak të mungesës së kërkesës po pakëson prodhimin, prodhuesit e makinerive vazhdojnë të prodhojnë porositë e vjetra, ndërkohë që porositë e reja janë të kursyera. Në degë të tjera, që janë të varura shumë nga eksporti, situata është e ngjashme.

Tani për tani nuk ka asnjë shenjë për fundin e kësaj tendence rënieje. Edhe ekonomia gjermane vuan nga pasojat e krizës globale financiare si dhe nga recesioni botëror i shkaktuar prej saj. Sipas mendimit të profesorëve të ekonomisë, anëtarët e këshillit të ekspertëve, që përgatit ekspertizën e zhvillimit vjetor ekonomik, gjendja është kritike, por jo e pashpresë.

DW Experte Karl Zawadzky
Experti i DW për ekonominë Karl ZawadzkyFotografi: DW

Ka shumë tregues që flasin për skenarin që ata përshkruajnë. Fjalia më e rëndësishme në raportin e tyre është: „Nuk do të ketë një krizë botërore si ajo e viteve 30-të." Ndonëse afatshkurtër pati një krizë të sistemit të sektorit të financave, kolapsi në sektorin bankar dhe atë të sigurimeve u shmang me ndërhyrjen e vendosur të qeverive dhe të bankave të rezervave. Qeveritë vunë në dispozicion disa qindra miliarda euro e dollarë në paketat e shpëtimit për bankat dhe sigurimet që po u lëkundeshin themelet, ndërsa bankat emetuese ulën interesat. Gabimet e së shkuarës nuk përsëriten. Në rastin konkret kjo do të thotë: Qeveria e ka liberalizuar politikën restriktive të financave dhe ka hequr dorë prej objektivit të saj që për herë të parë pas dekadash donte të paraqiste në vitin 2011 sërish një buxhet të ekulibruar. Përballimi i krizës ka prioritet.

Në plan afatshkurtër Gjermania ndodhet përballë një recesioni. Kjo do të thotë: që rendimenti i përgjithshëm ekonomik deri në pranverë do të jetë i ulët, por më pas do të nisë faza e ripërtëritjes. Për të gjithë vitin 2009 kjo do të thotë stanjacion. Në sfondin e krizës aktuale financiare dhe ekonomike kjo është një perspektivë jo e keqe. Në radhë të parë, nëse do të zbatohen këshillat e pesë ekspertëve, atëherë pasojat negative në tregun e punës, rritja e numrit të të papunëve mund të mbetet e kufizuar me mbi 300.000. Por një gjë e tillë presupozon, që vërtetë mund të ndalet tendenca e rënies së koniukturës. Në këtë drejtim mund të kontribuojnë kryesisht qeveria, banka e rezervave dhe konsumatorët.