1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania feston 15 vjetorin e bashkimit

Anila Shuka3 Tetor 2005

Tirze: "Barazimi i standardeve jetësore në lindje dhe perëndim, kërkon shumë më tepër forcë, durim dhe kohë, se sa kishim kujtuar dhe shpresuar në vitin 1990"

https://p.dw.com/p/Ar2e
Potsdam- Festohet 15 vjetori i bashkimit
Potsdam- Festohet 15 vjetori i bashkimitFotografi: AP

"Ne jemi ne", këtë këngë dy yjet e muzikës bashkëkohore gjermane, arranxhuesi Pol van Dyk dhe këngëtari Peter Heppner, ia kanë kushtuar identitetit të dyzuar të Gjermanisë duke u vënë në kërkim të një formule të re për të përcaktuar atë që quhet identitet kombëtar. 15 vjet pas krijimit të një Gjermania të re, është koha më se e përshtatshme për t'u legjitimuar si platformë reflektimi ndaj identitetit kombëtar. Reflektim, të cilin e kërkoi edhe kryeministri i Brandenburgut, Matias Placek, i cili në cilësinë e organizatorit të festës, mbajti fjalën qendrore në aktivitet.

"Duam ta rikapim hovin, entuziazmin dhe forcat që ndjenin gjermanët në vitin 1989 dhe 1990 dhe t'i shfrytëzojmë ato për të ardhmen", tha ai. Placek, tha se në Gjermani duhet të krijohen përsëri struktura të afta për konkurrencë, por nuk duhet të harrohet pengu i krijuar nga papunësia. Aktivitetet festive këtë vit bëhen në Potsdam, sepse landi i Brandenburgut me kryeministrin Placek, udhëheq Këshillin Federal.

Presidenti aktual i Bundestagut, Volfgang Tirze, kërkoi që të mblidhen edhe më shumë forcat për rindërtimin e Lindjes. "Kemi kuptuar që barazimi i standardeve jetësore, siç e kërkon kushtetuta në lindje dhe perëndim kërkon shumë më tepër forcë, durim dhe kohë se sa kishim kujtuar dhe shpresuar në vitin 1990", tha Tierze në fjalën e rastit. Lindja nuk është as luginë psherëtimash e as varrezë miliardash", tha ai më tej.

Por Tirze bëri thirrje, që shqetësimi i njerëzve para zgjerimit të Bashkimit Evropian të merret seriozisht. Bashkimi i Gjermanisë dhe integrimi i Evropës janë dy anët e së njëjtës medalje. Ribashkimi e ka bërë Evropën më të sigurtë dhe më të qendruehme, vazhdoi Tirze. "Gjermania ruan marrëdhënie të mira dhe intensive me të gjithë vendet evropiane, para së gjithash me Poloninë dhe Francën. Gjermanët nuk e kanë harruar se angazhimi i fqinjëve evropianolindorë për lirinë dhe të drejtat e njeriut ka qenë vendimtar për kapërcimin e ndarjes së Gjermanisë dhe Evropës", tha kryetari i Bundestagut, socialdemokrati Tirze.

Gjatë meshës së mbajtur në kishën e Nikolait, si kardinali katolik Shterzhinski ashtu edhe kryepeshkopi i kishës evangjeliste Volfgang Huber, në fjalimet e mbajtuar para afro 1000 të ftuarve, u bënë thirrje politikanëve për të shfrytëzuar ditën e sotme si rast për të ngjallur përsëri besimin e njerzve tek politika. Ndërsa kancelari aktual Gerhard Shrëder erdhi në meshë me vonesë, për shkak të mjegullës në hapësirën ajrore Hanover-Berlin, kryetarja e Unionit Angela Merkel, kishte vendosur të mos merrte pjesë në meshën ekumene. Ajo iu bashkua festimeve vetëm në mesditë, në aktivitetin qendror në sallën Caligari.