1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania dhe Franca, angazhim te madh ne Lindjen e Mesme

Mimoza Kelmendi25 Gusht 2006

Merkel ka deklaruar në Paris edhe njëherë gadishmërinë e Gjermanisë për të ofruar njësi të marinës që do të siguronin bregdetin libanez. Kancelarja gjermane Angela Merkel ka paralajmëruar se angazhimi ushtarak në Liban nuk duhet të lërë pasdore procesin e paqes në vend

https://p.dw.com/p/Aqzi
Angela Merkel dhe Zhak Shirak
Angela Merkel dhe Zhak ShirakFotografi: AP

Kancelarja gjermane Angela Merkel zhvilloi sot një takim me presidentin francez Zhak Shirak në Paris.

Më parë dy politikanët kanë përkujtuar çlirimin e kryeqytetit francez nga nazistët 62 vjet më parë. Së bashku ata kanë vendosur kurora me lule në një monument të gjeneralit Sharl de Gol në Champs Elysee.
Pas takimit Merkel dhe Shirak zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp.

Presidenti Shirak dhe kancelarja Merkel i kanë kërkuar Izraelit të heqë bllokadën e vendosur në porte dhe aeroporte në Liban.”Kjo masë është në dëm të ekonomisë libaneze dhe nuk mund të justifikohet” , është shprehur Shirak.
Merkel dhe Shirak theksuan se të dyja vendet si Gjermania ashtu edhe Franca nuk kanë mbetur të kënaqur nga përgjigjja e Iranit ndaj ofertës ndërkombetare për konfliktin atomik.
"Ne konstastatojmë me keqardhje se kjo përgjigje e Iranit nuk eshte ajo qe deshironim", tha Merkel pas takimit me presidentin francez Zhak Shirak.Por vazhdoi ajo, "dyert jane të hapura dhe do të përdoren të gjitha kontaktet për një zgjidhje diplomatike.Para së gjithash kjo është e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit që Irani të pranojë ofertën ndërkombëtare".
Përpjekjet për forcimin e trupës paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara në Liban kanë qenë po ashtu në qendër të bisedimeve mes kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Zhak Shirak. Merkel ka deklaruar në Paris edhe njëherë gadishmërinë e Gjermanisë për të ofruar njësi të marinës që do të siguronin bregdetin libanez. Kancelarja gjermane Angela Merkel ka paralajmëruar se angazhimi ushtarak në Liban nuk duhet të lërë pasdore procesin e paqes në vend.
“Unë besoj se kryesorja është që misioni i UNIFIL-it të jetë i suksesshëm, që në rajon të arrihet paqja.Kështu ne do të ndihmojmë për sovranitetin e Libanit dhe forcimin e tij.Kjo është kryesorja.Ne ishim absolutisht të një mendimi, që misioni i UNIFIL-it nuk do të jetë i vetëm në këtë rajon,por natyrisht edhe një proces politik që do të çonte në zgjidhjen e konflikteve. Franca dhe Gjermania janë të një mendimi, që bërthama kryesore e konfliktit,është midis Izraelit dhe palestinezëve."Ne duhet të punojmë më tepër për realizimin e së ashtëquajturës Road Map, megjithse është e vështirë. Ne, Gjermania dhe Franca ,do të insistojmë së bashku që të angazhohemi jo vetëm me dërgimin e trupave, por edhe me një aktivitet politik të ngjeshur që do të çojë në një stabilitet afatgjatë të rajonit, në një Liban sovran dhe me të drejtat e ekzistencës së Izraelit“, theksoi Merkel pas takimit me presidentin Shirak.
Merkel gjatë qëndrimit në Paris deklaroi për mediat franceze se nuk do të ketë çarmatim të Hisbollahut dhe paqe në rajon, në rast se nuk zgjidhen çështjet politike. Duhet të fillojmë me kompleksin Izrael-Palestinë, tha shefja e unionit kristian-demokrat, duke vënë në dukje edhe njëherë se Gjermania nuk do të stacionojë trupa këmbësorie në kufirin libanezo-izraelit. Shumë shtete evropiane kanë treguar mirëkuptim ndaj këtij vendimi, tha kancelarja gjermane në Paris