1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Franca në udhëkryq futbollistik - Ka hyrë tersi në kombëtaren franceze?

Lindita Arapi6 Shtator 2010

Pas serisë së humbjeve, skuadrën franceze po e tremb ndeshja e së martës (07.09) me Bosnjen në Sarajevë, për eliminatoret e Kampionatit Evropian 2012.

https://p.dw.com/p/P5CD
Kombëtarja franceze në Kampionatin Botëror të Fubtollit, FIFA 2010 në Afrikën e JugutFotografi: dpa

Ish-fuqisë botërore të futbollit dhe kampionit botëror në futboll, Francës po i merren këmbët. Pas humbjes 0:1 kundër Bjellorusisë, ekipi trengjyrësh në ndeshjen e së martës me Bosnjen në Sarajevë, e cila kryeson tabelën në Grupin D të ndeshjeve eliminatore për Kampionatin Evropian 2012, gjendet në situatë të vështirë dhe para rrezikut të rënies në harresë si skuadër impresionuese.

Situata nuk ndreqet me një ditë

Trajneri i kombëtares franceze, Laurent Blanc tha: "Gjendemi në udhëkryq". Pasuesi i trajnerit, Raymond Domenech, i cili u shkarkua nga detyra duhet të sjellë suksesin për francezët. Por sipas Blanc situata nuk ndreqet për një ditë. "Një ristrukturim i tillë ka nevojë për muaj. Dhe nganjëherë nuk sjell aspak rezultat", është shprehur kampioni botëror i vitit 1998. Blanc po tregon shenjat e fatalitetit që pas dy ndeshjeve, të dyja me dështim për francezët. Njëra kundër bjellorusëve, tjetra kundër norvegjezëve në gusht.

Fußball EM 2010 Qualifikationsspiele Frankreich Weißrussland Flash-Galerie
Ndeshja e pafat për francezët kundër Bjellorusisë, 03.09.2010Fotografi: AP

Boshnjakët gati për fitore

Kundër boshnjakëve që fituan 3:0 kundër Luksemburgut, francezët nuk kanë ndërmend të shkojnë kryelartë. "Nuk mund të përfytyrojmë që në një situatë të tillë të shkojmë në Bosnje dhe të themi se do të fitojmë", thotë trajneri 44 vjeçar. Megjithatë kapiteni i ri, Florent Malouda përpiqet të ngrejë moralin e skuadrës. "Nuk duhet të biem tani në fatalizëm dhe thjesht ta pranojmë situatën", tha Malouda.

Ndërkohë që kundërshtari e sheh shansin e tij tek dera. Skuadra e Bosnjes pretendon fitoren. Trajneri i kombëtares boshnjake, Safet Susiç ka pohuar" se "vetëbesimi i francezëve është dobësuar", duke theksuar se do të jetë e vëshirë për francezët të rikthehen në rrugën e fitoreve futbollistike.

AG/Arapi

Redaktoi: Ajete Beqiraj