1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fluturimet sekrete të CIA-s në Evropë

Bernd Riegert27 Qershor 2006

Asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës ka diskutuar mbi raportin e Dick Marty, për aferën e tranferimit të të burgosurve prej CIA-s. Parlamentarët konstatuan se një varg shtetesh kanë mbështetur aktivitetet e paligjshme të shërbimit sekret amerikan.

https://p.dw.com/p/ArAn
Fotografi: Getty Images /G. Gershoff

Deputeti zvicerran Dick Marty, i ngarkuari për hetimin e aktiviteteve të shërbimit sekret amerikan CIA, edhe një herë përsëriti kritikat e bëra publike në raportin e shtatë qershorit.

"Në pyetjen se a ka pasur rrëmbime të përsonave në Evropë, prej shërbimeve të huaja sekrete, përgjigja është po. Hetimet e kanë dëshmuar këtë shumë qartë", thotë ai.
Marty shtoi se ka pasur edhe shumë fluturime me të cilat CIA ka transferuar përsona në disa vende ku është e mundur që janë torturuar. CIA ka pasur në Evropë burgje apo vende sekrete për marrjen në pyetje të përsonave të dyshimtë. Dik Marty thotë se shokues është edhe fakti që shteteve evropiane, ndër të cilat edhe Gjermania, me qëllim i kanë heshur këto gjëra, e madje edhe kanë bashkëpunuar.

"Ekzistojnë qeveri të cilat kanë lejuar që trupat amerikane të marrin qytetarët e tyre dhe t'i transferojnë në Guantanamo, siç është rasti i Bosnje- Hercegovinës, për shembull. Kjo është plotësisht ilegale dhe kundër të drejave elementare njerëzore".
Ish - prokurori i Zvicrrës hodhi poshtë të gjitha kritikat sipas së cilave ai nuk ka dëshmi gjyqësore për këto pohime. Ai tha se nuk është hetues gjyqësor dhe nuk ka në dorë mundësinë e sanksioneve. Mirëpo ai ka biseduar me shumë aktivistë dhe ish- bashkëpuntorë të shërbimeve sekrete. Europarlamentarët së bashku me komisionerin evropian për çështje të brendëshme dhe juridike, Franko Fratini, kanë kërkuar një kotroll më të mirë të punës së shërbimeve sekrete. Në disa vende ky kontroll nuk ekziston fare. Fratini thotë se radhën e kanë tani organet juridike të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës për të hetuar këto pohime.

"Prokuroritë e këtyre vendeve dhe gjyqet e kanë radhën që të marrin masa ndaj këtyre akteve ilegale, sepse është e qartë që gjëra të tilla kanë ndodhur në tokën e Bashkimit Evropian".
Fratini tha se në qoftë se vendet anëtare të BE i kanë mbështetur aktivitetet ilegale të CIA-s, duhet të përballen edhe me sanksione. Ndërkohë që nga SHBA kërkohet ndërprerja e aktiviteteve të tilla në Evropë. Polonia është një prej vendeve e cila kritikohet ashpër në këtë raport. Deputeti polak Karol Karski e kundërshton raportin.

"Pa asnjë fakt të ri, Dik Marty pohon se spekullimet e vitit të fundit për përzierjen e Polonisë tani mund të konsiderohen si dëshmi."
Karski pohon se presidenti polak Leh Kaçinski ka kumtuar se në vendin e tij nuk ka pasur asnjë burg sekret. Paralelisht me Këshillin e Evropës, edhe Parlamenti Evropian është duke zhvilluar hetimet e veta. Zëvendëskryetari i Komisionit për hetimin e aferës së CIA-s, Cem Özdemir, i ekologjistëve gjermanë, është i interesuar të zbulohet përzierja e qeverive evropiane në këto aktivitete.

"Në fazën tjetër do të zbardhim rolin e vendeve anëtare dhe kandidateve për anëtarësim në BE. Vendimtare është të dihet se a janë të përziera edhe ato në këto aktivitete të CIA-s".
Ministrja e jashtme amerikane Kondoleza Rajs ka deklaruar në nëntor të vitit 2005 në Bruksel se qeveria e saj nuk ka shkelur sovranitetin e anjë vendi evropian. Ndërkohë që fluturime ka pasur gjithmonë. Deputeti Marty thotë se kjo është një dëshmi më shumë se fluturimet e avionëve të CIA-s, janë bërë me dijen e qeverive të vendeve evropiane. Mirëpo Marty thekson se raporti i tij ende është në fazën fillestare dhe se hetimet duhet të vazhdojnë.