Flamurin lart? - Gjermanët dhe simbolet e tyre kombëtare
6 Dhjetor 2008Horst Köhler hapi të enjten në Shtëpinë e Historisë në Bon ekspozitën "Flamurin lart - Gjermanët dhe simbolet e tyre kombëtare". Muzeumi tregon me 600 eksponate marrëdhëniet e politikanëve dhe qytetarëve gjermanë me kombin dhe simbolet e tij.
Një flamur, banda ushtarake, ushtarë që marrshojnë dhe një monument, për një kohë të gjatë ky zinxhir simbolesh në Gjermani ka qenë tabu, sepse ato kujtonin kohën e nacionalsozializmit.
Diktatura nacionalsocialiste i pati përdorur për qëllimet e beta simbolet kombëtare. Kështu Adolf Hitler thoshte gjithnjë: „Simboli i shenjtë për gjermanët ka qënë gjithmonë flamuri. Ai nuk është vetëm një copë shall, por është bindje dhe pranim i detyrimit."
Flamuri i ri i Gjermanisë lindore dhe perëndimore ka qenë i zi, i kuq dhe i verdhë. Kështu të dy shtetet ju kthyen trashëgimisë së përbashkët të 1848-ës. Në Revolucionin e marsit shumë vetë dolën në rrugë, për të bashkuar të gjithë principatat gjermane në një vend të vetëm – Gjermaninë. Flamuri gjerman pati luajtur një rol të madh në këtë proces. Ai ishte simboli më i rëndësishëm i bashkimit në këtë periudhë. Ekspozita e Bonit tregon këtë zhvillim në mënyrë kronologjike, siç thotë Iris Bender, bashkëpunëtore shkencore e Shtëpisë së historisë në Bon.
„Në Republikën Federale simbolet si për shembull himni ose çështja e flamurit të ri federal janë diskutuar gjatë. Kjo është prezantuar këtu në sallën e muzeut. Përveç kësaj shihet ende se dy shtetet gjermane i referohen traditës së 1848-ës. Por këtë e kanë bërë në mënyra të ndryshme. Sepse në RDGJ bazoheshin në luftën e barrikadave dhe traditën revolucionare, kurse në Republikën Federale në traditën parlamentare."
RDGJ ju kthyer për arsye ideologjike simboleve kombëtare: „Duhet të ketë pamje demokratike, por ne duhet të kemi çdo gjë në dorë." Ky ishte diktumi i kryetarit të shtetit në RDGJ, Valter Ulbriht. Kurse në Republikën Federale u hoq dorë krejtësisht nga valëvitja e flamurit. Qyteti i Bonit u kthye në selinë qeveritare, me simbole të reja për fillimin e ri, ku edhe në pritjet shtetërore u hoq dorë nga pompoziteti. Vetëm ribashkimi ndryshoi qëndrimin e gjermanëve ndaj vendit të tyre.
Në ekspozitë vizitorët kalojnë në një rikonstruksion të Portës të Brandenburgut, e cila kthehet simbol të Gjermanisë së ribashkuar. Corinna Tomberger nga Shtëpia e Historisë në Bon: "Këtu kemi të bëjmë me Gjermaninë e bashkuar, dhe këtu fillon sërisht një trajtim tjetër i ngjyrave zi, kuq dhe verdhë, dhe Berlini bëhet kryeqytet i Gjermanisë së Bashkuar."
Ekspozita tematizon ndërtimin e monumenteve për të cilat ka patur diskutime kontroversve dhe debatin për rindërtimin e Kështjellës Berlineze dhe përfundon me detin zi, kuq dhe të verdhë të Kampionatit Botëror Futbollistik më 2006.
Ekspozita paraqet një patriotizëm të ri në Gjermani, i cili i ardhur deri këtu nuk duket të ketë më asnjë gjurmë të shpërdorimit të dikurshëm të pushtetit. Hans Valter Hyter, president i Fondacionit Shtëpia e Historisë të Republikës Federale Gjermane:
„Të krijohet përshtypja se qëndrimi i gjermanëve ndaj simboleve të tyre kombëtare është më pak i tensionuar, më i çliruar, si të thuash është bërë më normal."
Ekspozita e Bonit nuk thotë për fat të keq asgjë mbi ekzistencën e ekstremistëve, që i keqpërdorin simbolet kombëtare si flamuri gjerman pvr qëllimet e tyre radikale ideologjike.