Festivali i Parë Ndërkombëtar Veror i Filmit Artistik në Durrës
16 Gusht 2008Qëndra Kombëtare Kinematografike në Tiranë dhe Bashkia e qytetit të Durrësit po bëjnë përgatitjet e fundit për të zhvilluar për herë të parë në Shqipëri Festivalin Ndërkombëtar Veror të Filmit Artistik. Ky eveniment kulturor në shërbim dhe të sezonit turistik, do të zhvillohet nga 23 gusht deri më 31 gusht, në dy ambjente kryesore të qytetit bregdetar të Durrësit, në amfiteatrin antik dhe sallën e Pallatit të Kulturës Aleksadër Moisiu.
Për Festivalin është zhvilluar paraprakisht një fazë selektive, përzgjedhjeje nga 51 filma të vendeve të ndryshme të botës që aplikuan. Si përfundim të drejtën për të hyrë në garë e morën vetëm 11 filma, të gjitha prodhime të pas vitit 2005, të regjisorëve nga Gjermania, Maqedonia, Kroacia, Çekia, Estonia, Iraku etj.
Një seksion i veçantë në ditët e Festivalit do të jetë enkas për filmin shqiptar. Në kalendarin e këtij seksioni është programuar premiera e filmit "Koha e Kometës", një variacion mbi librin e Ismail Kadaresë "Prilli i thyer". Gjithashtu për filmëdashësit do të shfaqen në pëlhurën e bardhë dhe prodhimet e regjisorëve të tjerë të njohur shqiptarë, si Piro Milkani, Besnik Bisha, Gjergj Xhuvani, Spartak Pecani etj.
Juria ndërkombëtare në datën 31 gusht gjatë një mbrëmje spektakli, do të japë për fituesin çmimin "Gladiatori i Artë", si prodhimi më cilësor i Festivalit.