Europoli sërish nën drejtimin e një gjermani | Evropa | DW | 25.02.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Europoli sërish nën drejtimin e një gjermani

Garën se cili do ta drejtojë në të ardhmen Europolin e fitoi Gjermania. Ministrat e punëve të brendëshme dhe ata të drejtësisë të 25 shteteve anëtare të BE-së votuan në Bruksel pro kandidaturës së Max-Peter Ratzelit, i cili aktualisht drejton një prej sektorëve të Entit Federal gjerman të Kriminalistikës.

Max-Peter Ratzel zgjidhet shefi i ri i Europolit

Max-Peter Ratzel zgjidhet shefi i ri i Europolit

Vendimet më të vështira në radhët e BE-së politikanët i marrin gjithmonë gjatë drekave apo darkave të përbashkëta. Kështu ndodhi edhe në rastin e drejtuesit të ardhëshëm të Europolit, ku ministrat votuan për kandidaturën e gjermanit Max-Peter Ratzel, duke u dhënë kështu fund me ngritjen e një dollie bisedimeve të pafunda, se kush do të zgjidhej në këtë post. Max-Peter Ratzel ka lindur më 1949 në Dillingen të Saarlandit dhe fitoi në garën ndaj tre kandidatëve të tjerë përkatësisht nga Franca, Italia dhe Spanja.

Duke kumtuar këtë lajm Ministri i Drejtësisë i Luksemburgut, Luc Frieden tha: "Kishim katër persona që sillnin kualifikimin e nevojshëm, por na duhej që të merrnim një vendim, sepse Europoli është i rëndësishëm si për drejtësinë edhe për policinë."

Sidomos Gjermania dhe Franca zhvilluan një duel të ashpër për postin e shefit të Europolit në Hagë. Deri tani ky post ishte në duart e një gjermani, Jürgen Storbeck, konsiderohej prej të gjithëve si personi ideal, edhe për profesionin edhe si një demokrat me vizion evropian. Ministri gjerman i Punëve të Brendëshme, Otto Schily, donte që Storbeck të vazhdonte të qëndronte në këtë post edhe për pesë vitet e ardhëshme, por francezët këmbëngulnin për kandidatin e tyre. Për këtë Storbeck u largua nga ky post me përfundimin e kontratës në qershor të vitit të kaluar. Dhe që nga kjo kohë për shkak të mosmarrëveshjeve se cili do ta merrte këtë post, vendi mbeti vakant. Përveç Gjermanisë dhe Francës ofruan kandidaturat e tyre edhe Italia dhe Spanja.

Max-Peter Ratzel, i cili deri tani ishte drejtor i Drejtorisë për kriminalitetin e organizuar, u vlerësua shumë shpejt si eksperti më i mirë për këtë post. Por kur është fjala poste të rëndësishme brënda BE-së duhen kapërcyer edhe mosmarrëveshjet mes shteteve anëtare dhe etiketat nacionale.

Max-Peter Ratzel punon në Entin Federal Gjerman për Kriminalistikën që prej vitit 2000 dhe ka nën varësi 850 bashkëpunëtorë. Ai ka një përvojë të madhe në fushën e kooperimit ndërkombëtar për luftimin e kriminalitetit të organizuar. Ai ka studiuar matematikë dhe fizikë në Universitetin e Saarbrückenit dhe u punësua si hetues në Entin federal të Kriminalistikës në vitin 1987.

Deri tani Europoli me seli në Hagë ka si kompetencë vetëm mbledhjen dhe analizimin e të dhënave të shteteve të ndryshme për t'i ndihmuar policitë e vendeve anëtare të BE-së në veprimtarinë e tyre. Megjithatë ka vite që Europoli merr përsipër edhe detyra operative. Meqënëse Gjermania arriti që në krye të Europolit të vendoset kandidati i saj, Gjermanisë i duhet që në rastet e emërimeve për postet e tjera të rëndësishme të BE-së të bëjë lëshime në favor të vendeve të tjera anëtare.

  • Data 25.02.2005
  • Autor Christopher Plass
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArF3
  • Data 25.02.2005
  • Autor Christopher Plass
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArF3