Epidemia e gripit & 1 Maji dhe kriza
1 Maj 2009Në gazetat gjermane komentohet situata e krijuar nga përhapja e gripit të derrit. Në fokus analistët kanë edhe ditën e punëtorëve, 1 Majin duke marrë shkas edhe nga kriza ekonomike.
Gazeta "Fränkischer Tag" duke marrë shkas nga takimi i ministrave të shëndetësisë të vendeve të BE-së, komenton:
"Përderisa shëndeti është kompetencë e vendeve anëtare, janë ato përgjegjëse për marrjen e masave përkatëse. Por në këtë drejtim mungon unanimiteti. Aq më shumë është për të të ardhur keq, që vendet, pavarësisht insistimit nga ana e Komisionit, ende nuk kanë krijuar një depo mbarë BE-së për vaksinat."
"Nürnberger Nachrichten" vëren:
"Shkalla pesë e alarmit do të thotë; Që të gjitha vendet, të aktivizojnë planet e tyre për pandeminë, në mënyrë që të të mund të veprohet shpejt, kur të shfaqet virusi i ri N1H1. Në Gjermani autoritetet dhe klinikat janë të përgatitura mirë. Gjithashtu duket se virusi - çka përbën një lajm të mirë - është më pak agresiv nga sa mendohej deri më tani. Gjithësesi sëmundjet në Evropë deri tani kanë kaluar lehtshëm. Ndaj s´ka arsye që të mendojmë, se në këtë drejtim në një të ardhme të afërt do të ndryshojë diçka."
Lidhur me krizën ekonomike duke marrë shkas edhe nga dita e 1Majit gazeta "Neue Westfälische" shkruan:
"Deri tani në Gjermani, në sfondin e përkeqësimit të ekonomisë të bie në sy fakti që situata është e qetë. Kjo në radhë të parë është meritë e sindikatave. (...) Ato po tregojnë një vetëdije të jashtëzakonshme për përgjegjësinë duke pranuar, që t' i shtyjnë rritjet e kontraktuara të pagave nisur nga gjendja e krijuar. (...) Që kriza përkon me fillimin e luftës elektorale, kjo nuk e lehtëson përballimin e pasojave. Të gjitha partitë duhet të ruhen prej premtimeve, që nuk mund t' i mbajnë. Kjo vlen si për premtimet për ulje taksash, ashtu edhe për ndihmat e ndërmarrjeve në vështirësi, që është e pamundur të paguhen. Ne do t´i ndiejmë gjatë pasojat financiare dhe ekonomike të rënies koniunkturore."
Autor: dpa/ Vilma Filaj-Ballvora
Redaktoi: Auron Dodi