Ende nuk ka komunikim zyrtar për datën e shpalje së pavarësisë
13 Shkurt 2008Kryesia e kuvendit të Kosovës, caktoi që ditën e premte të zhvillohet një seancë e palamentit mirëpo, jo që në këtë ditë të shpallet pavarësia. Anëtarët e kryesisë së kuvendit thanë se punët për seancën solemne, kur do të shpallet pavarësia janë duke vazhduar. Në këtë mënyrë u rikonfirmua, që shkurti do të jetë koha e shpalljes së pavarësisë, mirëpo asnjë nga ata nuk ishte në gjendje ta thotë saktë datën e vendimit. Sipas njërit nga anëtarët e kryesisë së kuvendit, Sabri Hamiti, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës akoma nuk dinë datën e pavarësisë, sepse akoma nuk ka një kordinim të prerë me bashkësinë ndërkombëtare për këtë ditë. "Institucionet nuk kanë kompetencë që ta caktojnë të vetme datën e shpalljes së pavarësisë, sepse për këtë ditë duhet të ketë koordinim edhe me bashkësinë ndërkombëtare. Ky koordinim nuk ekziston akoma dhe e vërteta është se institucionet e Kosovës nuk e dinë datën e pavarësisë", thotë Sabri Hamiti.
Në seancën e së premtes ligjvënësit kosovarë caktuan disa pika të rendit të ditës. Me procedurë të përshpejtuar do të miratohet buxheti i Kosovës dhe poashtu u pajtuan që të intensifikohet puna në miratimin e ligjeve të parashikuara në paketën e statusit te ndërmjetësuesit, Marti Ahtisari. Mbi bazën e kësaj pakete autoritetet kosovare do ta shpallin pavarësinë. Sidoqoftë, përgatitjet për këtë ditë tashmë janë në valëln e tyre. Janë formuar grupe të tëra për organizimin e programeve artistike ndërsa qysh tash qëndra e Prishtinës ka filluar të zbukurohet. Qindra mediume botërore me ekipet e tyre janë vendosur në Prishtinë dhe për akomodimin e tyre qeveria ka krijuar një qendër të re mediatike, ku udhëheqësit politik kosovar do t´u drejtohen mediave.
Ndërkaq mësohet, se qeveria e Kosovës, administrata ndërkombëtare dhe forcat paqerujatëse, do të zhvillojnë sot në orët e mbrëmjes një takim të përbashkët, ku do të diskutohet në mënyrë të veçantë për çështjen e sigurisë në Kosovë. Ky takim zhvillohet vetëm pak ditë para se kuvendi i Kosovës ta shpallë pavarësinë. Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe krerët e pranisë ndërkombëtare, ata civil dhe ushtarak, u kanë bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që këto ditë të jenë të matur në veprimet e tyre, sepse çdo incident mund ta dëmtojë rëndë procesin final nëpër të cilin po kalon Kosova. Organet e rendit thonë se tash për tash, situata e sigurisë në Kosovë paraqitet e qetë, mirëpo ata janë të gatshëm të përballen dhe të veprojnë me çfarëdo situate që mund të paraqitet në terren.