″E parëndësishme dhe e padobishme″? | Bota | DW | 09.05.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

"E parëndësishme dhe e padobishme"?

Letra e Ahmadinexhadit për presidentin Bush nuk luajti rol në takimin e gjashtëshes

Presidentët Ahmadinexhad dhe Bush

Presidentët Ahmadinexhad dhe Bush

Në Njujork u mblodhën dje ministrat e jashtëm të vendeve me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe të Gjermanisë, për tu konsultuar mbi veprimet e tjera në çështjen e Iranit, por takimi nuk ka sjellë rezultate të reja. Në grindjen me qeverinë e Teheranit për programin bërthamor Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan të arrijnë një rezolutë të Këshillit të Sigurimit, e cila bën të mundur edhe sanksionet. Rusia dhe Kina e refuzojnë këtë në mënyrë strikte. Njëkohësisht me takimin e Njujorkut presidenti i Iranit Mahmud Ahmadinexhad i dërgoi një letër presidentit amerikan George W. Bush.

Maturia shkruhet me të madhe: Letra e papritur e presidentit iranian Mahmud Ahmadinexhad për homologun dhe kundërshtarin e tij amerikan George W. Bush nuk trajtohet si letër e hapur në Teheran. Dhe në Uashington thuhet pas përgënjeshtrimesh fillestare të pasuksesshme të mbërritjes së letrës 18 faqëshe, se në shkresë nuk ka asgjë të re, ajo është "e parëndësishme, e padobishme" dhe nuk do të bëhet publike.

Natyrisht që ky është një thjeshtësim i madh, sepse një letër e presidentit iranian për atë amerikan është në vetvete diçka e re dhe për tu përshëndetur - qoftë kjo edhe një përpjekje e re tipike e Teheranit për tu dhënë në çastin e fundit drejtim tjetër përpjekjeve diplomatike për një rezolutë të re anti-iraniane. Sidoqoftë, letër ose jo letër: takimi disaorësh i ministrave të jashtëm të pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe të Gjermanisë mbeti një drekë e gjatë pune. Pa rezultat konkret dhe me përfundimin e pritur, që për strategjinë e përbashkët kundrejt Iranit vazhdon të mos ketë pajtim.

25 vjet më parë çështja nuk ishte kaq e ndërlikuar. Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën 487: Me anë të saj shtetet edhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dënonin bashkarisht Izraelin, sepse jo larg kryeqytetit irakian Bagdad shkatërroi me bomba reaktorin bërthamor Osirak, i cili ishte thuajse gati për tu vënë në punë. Argumenti izraelit i vetëmbrojtjes parandaluese sipas nenit 51 të kartës së Kombeve të Bashkuara u hodh poshtë dhe Irakut iu dëshmua shprehimisht e drejta për të kryer kërkime bërthamore për qëllime paqësore. Madje nga Izraeli u kërkua të zhdëmotente Irakun për humbjet e shkaktuara dhe t'i bashkangjitej marrëveshjes për mospërhapjen e armëve bërthamore.

Në Uashington duket sikur janë harruar ato ditë. Që atëherë qëdronte në prapaskenë grindja e madhe midis Republikës Islamike, atëherë ende të re, dhe Perëndimit. Konsolidimi i regjimit të ri perceptohej si frikësues nga Perëndimi dhe po aq i madh ishte solidariteti me Sadam Huseinin. Ai u mbështet në luftën kundër Iranit, Franca kishte ndërtuar reaktorin bërthamor që më pas u shkatërrua. Dënimi i Izraelit nga Këshilli i Sigurimit bënte të qartë që në radhë të parë Perëndimi po merrte anën e kundërshtarit të Iranit në luftë.

25 vjet më vonë ky kundërshtar lufte është nxjerrë para gjyqit nv Bagdad dhe Irani akuzohet tani për atë që do ti lejohej atëherë Irakut. E pra kjo nuk është ndonjë kryevepër e diplomacisë konsekuente, të cilës do ti bashkoheshin symbyllurazi të gjithë, sikur Rusia dhe Kina të mos kishin probleme me këtë për arsye të interesave të tyre masive ekonomike në Iran.

Siç thuhet, një pjesë e mirë e letrës së tanishme nga Teherani trajton zhvillimin e grindjes iraniano-amerikane. Ta zhvlerësosh këtë si të parëndësishme sigurisht që është gabim. Një vështrim i shkurtër në histori e tregon këtë fare qartë.

  • Data 09.05.2006
  • Autor Peter Philipp
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArLX
  • Data 09.05.2006
  • Autor Peter Philipp
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArLX
Reklamë