E përditshmja ime është e varfër- rrëfen një 47 vjeçar me sida | Gjermania | DW | 21.08.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

E përditshmja ime është e varfër- rrëfen një 47 vjeçar me sida

Në të gjitha vendet industriale edhe në Gjermani, shumë shpesh dëgjohen kritika se medikamentet e reja, që synojnë të zgjasin jetën e pacientëve, kanë bërë që të nënvleftësohet rreziku i përhapjes së sëmundjes vdekjeprurëse

Reklamë për sensibilizimin ndaj Sidës

Reklamë për sensibilizimin ndaj Sidës

Javën e kaluar përfundoi në Toronto të Kanadasë konferenca botërore për sidën. Aty u fol shumë për mundësitë e trajtimit mjekësor të saj, të paktën për ata që janë në gjendje të paguajnë kurimin. Në të gjitha vendet industriale edhe në Gjermani, shumë shpesh dëgjohen kritika se medikamentet e reja, që synojnë të zgjasin jetën e pacientëve, kanë bërë që të nënvleftësohet rreziku i përhapjes së sëmundjes vdekjeprurëse. Shumë vetë, mes tyre edhe të rinj, e shohin ndërkohë sidën si një sëmundje të pashërueshme, me të cilën megjithatë mund të jetohet jo keq.

Tomas Drezen është 47 vjeç dhe është infektuar me virusin HIV në fillim të viteve 80-të, kur SIDA ende nuk kishte këtë emër. Po ta kishte ditur që ajo do të shmangej vetëm me anë të një perzervativi, nuk do të ishte infektuar, thotë ai sot. Vetëm kur u vu re që partneri i tij ishte pozitiv, atij i shkoi në mendje të kontrollohej. Në vitin 1989 shoku i tij u sëmur nga sida dhe një vit më vonë vdiq. Në vitin 1992 shpërtheu Sida edhe tek Tomasi në formën e një herpesi. Që atëherë ai jeton me sëmundjen dhe përfiton nga mundësitë e përmirësuara të trajtimit mjekësor. "Në vitin 1998 dolën terapitë e kombinuara. Unë atëherë merrja 25 ilaçe në ditë kundër virusit dhe efekteve anësore të medikamenteve. Shkenca ka bërë përparime të jashtëzakonshme. Tani marr vetëm 10 medikamente në ditë."

Por kjo nuk do të thotë që gëlltitja e medikamenteve është diçka e lehtë. Efektet anësore të tyre e mundojnë Tomasin. Shumë fije nervore të këmbëve i janë shkatërruar. Ai ka nevojë për medikamente me doza të larta opiumi për të kaluar ditën pa dhimbje.

"Më parë më duhej të vija zilen për të marrë barnat. Kur dëgjoja tringëllimën e saj, e dija që duhet të haja diçka dhe pastaj të pija një ilaç. Pastaj binte zilja përsëri dhe e dija që nuk duhet të haja për dy orë rresht në mënyrë që kur të pija ilaçin tjetër të isha esëll. Mbasdite duhet të pija përsëri lëngje, treçerek litri. Sot medikamentet nuk kanë më nevojë për regjim ushqimor."

Deri në vitin 1998 Tomas Drezen punonte në kopshtin e një mobilerie në Bon. Për shkak të dobësimit të sistemit imunitar u sëmur nga kanceri në zorrë. Që atëherë jeton me një pension prej 650 eurosh në muaj dhe iu desh të hiqte dorë nga puna si kopshtar, për shkak të rrezikut të madh të infektimit.

Jo të gjithë të afërmit e tij e kanë pranuar pa problem sëmundjen e Tomasit. Ai thotë se pati fat që të paktën punëdhënësi dhe qeradhënësi e mbështetën. Ndërsa prindërit e ndërprenë kontaktin, kur ai doli hapur si homoseksual dhe i sëmurë nga sida.

"E përditshmja ime është e varfër", thotë Tomasi. "Kur moti është i mirë dal shëtitje me qenin. Kur nuk jam mirë, kam ethe dhe dhimbje dhe e ndjej veten të dobët, qenin e nxjerr një shoqe."

Nga pamja Tomas Drezen nuk duket si i sëmurë me sida. Ai është pak i zbehtë dhe i dobët dhe të lë përshtypjen, sikur sapo ka kaluar gripin. Duket më i ri se ç'është dhe e do shumë jetën:

"Jam 47 vjeç. Para disa vitesh pata thënë se të paktën dua të arrij moshën 50- vjeçare, por tani dua të shkoj deri në 60 dhe ndoshta edhe 70. Jam pak optimist dhe besoj se të paktën do të bëhem 60 vjeç," - thotë ai me një buzëqeshje të lehtë.

  • Data 21.08.2006
  • Autor Franciska Hëring.
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqzl
  • Data 21.08.2006
  • Autor Franciska Hëring.
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqzl