Dy eurodeputetë serbë shpallen të padenjë për Këshillin e Evropës
26 Prill 2004Në hapje të sesionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës një pjesë e delegacionit të Serbisë dhe Malit të Zi u konsiderua e padenjë të zërë vend në Këshillin e Evropës. Eurodeputeti slloven Roman Jakic i kërkoi kryetarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Peter Shider që të mos ua njohë letrat kredenciale dy anëtarëve të delegacionit të Serbisë dhe Malit të Zi, pasi udhëheqësit e partive ku ata bëjnë pjesë procedohen nga Tribunali i Hagës për krime lufte. Fjala është për Vojislav Sheshelin dhe Sllobodan Miloshevicin.Peter Shideri e hodhi në votë propozimin e eurodeputetit slloven, i cili mori mbështetjen e dhjetë kolegëve të tij në sallë. Në këtë mënyrë, kërkesa u konsiderua e mbështetur, dhe Peter Shideri i kërkoi delegacionit të Serbisë dhe Malit të Zi të zërë vend vetëm provizorisht në sallë. Eurodeputetët serbë nuk do të kenë as të drejtën e votës, derisa Komiteti Politik i Këshillit të Evropës të shqyrtojë gjendjen dhe të marrë njw vendim përfundimtar. Vendimi i Komitetit Politik pritet të shpallet nesër paradite.