″Dramë që shkakton gjithnjë e më shumë viktima″ - Italia e tronditur nga vdekja e 28 refugjatëve | Evropa | DW | 09.08.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

"Dramë që shkakton gjithnjë e më shumë viktima" - Italia e tronditur nga vdekja e 28 refugjatëve

Pas dramës së fundit të refugjatëve në brigjet e Sicilisë, Italia i ka bërë thirrje BE-së që të veprojë. Autoritetet italiane mendojnë, se 28 afrikanë mund të kenë gjetur vdekjen gjatë dramës të së djelës. Viktimat gjetën vdekjen nga stërmundimi gjatë lundrimit prej dy javësh nga Afrika e Veriut deri në Itali. Të mbijetuarit i hodhën në det trupat e pa jetë. Ndërsa 71 pasagjerët e rraskapitur u shpëtuan nga një traget mallrash.

default

Ndryshe nga ngjarja e anijes gjermane të ndihmës "Cap Anamur" përpara një muaji, që bëri bujë më shumë në Gjermani se sa në Itali, lajmet e së djelës nga Sirakuza e Sicilisë për refugjatët e zbarkuar atje i kanë prekur në zemrë italianët. Rreth 100 afrikanë të nisur duket nga Libia me një varkë të vjetër janë lemerisur nëpër det, vetëm 71 prej tyre kanë mundur të mbijetojnë. Etja dhe kryesisht të ftohtit kanë qenë shkaku i vdekjes së pjesës tjetër të pasagjerëve hallexhinj. Trupi i një fëmije pa jetë është hedhur në det me sa duket prej babait të vet. Një pasagjere tjetër me të zbarkuar në tokë, u konstatua e pajetë nga një mjeke italiane e emergjencës.

Edhe të mbijetuarit janë të dobësuar dhe krejtësisht të rraskapitur. Në radhët e pasagjerëve dyshohet se ndodhen edhe dy kontrabandistët që kanë organizuar udhëtimin nga Afrika për në Evropë duke u marrë pagesë emigrantëve nga 800 deri në 1.800 dollarë për person, njoftojnë mediet. Refugjatët e kanë prejardhjen nga Liberia, Bregu u Fildishtë dhe Sierra Leone. Presidenti i policisë së Sirakuzës, Vincenco Mauro:

"Që nga atdheu ata kanë qenë pothuajse dy javë në udhëtim deri sa kanë arritur në brigjet tona. Nga dy javë udhëtim nëntë ditë refugjatët kanë lundruar në det. Me sa duket kontrabandistët nuk i kanë bërë sic duhet llogaritë sa u përket ushqimeve të marra në bord dhe motit. Për këtë arësye shumë njerëz kanë gjetur vdekjen gjatë lundrimit."

Të shtunën në mbrëmje hallexhinjtë e rropatur dhe të mbetur në mes të detit me varkën 14 metra të gjatët u ndihmuan prej një anijeje tregtare gjermane. Anija me një ekipazh prej 12 vetësh, e cila transporte mall nga Spanja për në Turqi, ndryshoi itinerarin për të ndihmuar refugjatët afrikanë duke i zbarkuar ata në portin sicialin. Ndryshe nga rasti i mëparshëm me anijen e organizatës së ndihmës "Cap Anamur", këtë radhë nuk ka rezik të procedohet ndaj ekipazhit për favorizim të emigracionit ilegal. Ministri i brendshëm italian Pizanu, i cili një muaj më parë e përshëndeti reagimin e drejtësisë italiane ndaj punëonjësve të Cap Anamur, këtë radhë ka kërkuar një angazhim më të madh evropian. Pizanu bën thirrje që Italia të mos lihet e vetme për t´i bërë ballë valës së njerëzve që vërshojnë nga rajonet e krizave dhe të luftës drejt brigjeve italiane.

Me fjalë të ashpra është shprehur njëri prej antarëve të kabinetit qeveritar i partisë populiste të djathtë "Lega Nord". "Le t´i mbyllim dyert ndaj atyre që duan të vijnë fshehurazi në vendin tonë", me këto fjalë e citojnë mediet italiane ministrin Roberto Kalderoli. Sipas tij "Italia nuk është Kryqi i Kuq. Në rast nevoje këta njerëz duhet të kthehen edhe me forcë", thotë Kalderoli duke mbrojtur tezën, se terroristët islamistë - të maskuar si refugjatë - tentojnë të hyjnë në Itali. Ndaj ai kërkon kontrolle më të forta për të ndaluar në cdo mënyrë futjen e tyre në vend.

Presidenti i partisë ekologjike, Alfonso Pecoraro Scanio akuzon ministrin Kalderoli, se me parrullat e tij po i hedh benzinë zjarrit të fondamentalizmit. Ish-ministrja e së majtës demokrate, Livia Turko, një nga bashkëautoret e ligjit të emigracionit në legjislaturën e kaluar që më pas u ashpërsua prej qeverisë së Berluskonit, thotë, se "ky është një cinizëm i pakufi":

"As ligji i emigracionit të qeverisë së qendrës së djathtë që nuk njeh kufi nuk është efikas. Që prej tri vjetësh që janë në pushtet ata kanë premtuar zgjidhjen e problemit të emigracionit, por në vend të kësaj situata po ashpërsohet, drama e refugjatë po shkakton gjithnjë e më shumë viktima, dhe njerëzit ia arrijnë të futen ilegalisht tek ne. Qeveria nuk ka fytyrë të flasë për një ligj funksionues - përballë tragjedive të tilla dhe faktit që sipërmarrësit kanë nevojë dhe janë në kërkim të punëtorëve te huaj legalë."

Deklaratave të ministrit Kalderoli iu është kundërvënë edhe partneri kristjandemokrat i koalicionit. Mikele Vieti, sekretar shteti në ministrinë e drejtësisë, deklaron, se është e ekzagjeruar të shfaqësh dyshime për terrorizëm ndaj të gjithë emigrantëve ilegalë. Në Itali ne nuk mund të mbyllen hermetikisht kufijtë, sepse bregdeti është shumë i gjatë.

  • Data 09.08.2004
  • Autor Filip Kreizelmajer
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArGh
  • Data 09.08.2004
  • Autor Filip Kreizelmajer
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArGh