1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dojsa V. dhe jeta e dyfishte e një agjenti

Anila Shuka, Berlin7 Mars 2005

Del në një sfond të ri vdekja e një punonjësi të ambasadës gjermane në Tiranë

https://p.dw.com/p/Ar4N

Hetimet në aferën e abuzimit me vizat në ambasadën gjermane në Tiranë po e nxjerrin në një sfond të ri vdekjen e një funksionari të lartë të shërbimit sekret gjerman. Siç bën të ditur revista e përjavshme gjermane, Focus, nuk përjashtohet mundësia që punonjësi i shërbimit sekret Willy W., i cili në maj të vitit 2004 u gjet i vdekur në rezidencën e vet në Tiranë, të jetë bërë pre e një akti dhune.

Më 3 maj të vitit 2004, Villi Vajcel, agjent i shërbimit të fshehtë Gjerman (BND), i stacionuar në Shqipëri që nga vera e vitit 2002, ndryshe nga herët e tjera, nuk u shfaq në ambasadë, ku kishte zyrën e punës. Disa orë më votë, trupi i 49 vjeçarit u gjet i pajetë në banesë. Mjeku shqiptar, i alarmuar, e kontrolloi kufomën dhe konstatoi se kishte vdekur natyrshëm, informon revista e përjavshme gjermane, FOCUS, duke iu referuar burimeve zyrtare të BND-së.

Po sipas revistës, departamenti i sigurisë së BND-së, ka marrë në tetor të vitit 2004 informacione të besueshme, sipas të cilave agjenti gjerman ka pasur lidhje me mafjen. Flitet, se atë e kishin kurruptuar qarqet kriminale të Tiranës, por mbasi Vajcel nuk i ishte përmbajtur marrëveshjes e kishin vrarë. Përveç parave atij i ishin vënë në dispozicion edhe dy prostituta, raporton më tej e përjavshmja gjermane FOCUS.

Deri tani burime zyrtare gjermane kanë heshtur. Një dëshmi serioze për lidhjen e kësaj historie me aferën e vizave nuk ka. Lidhur me këtë të fundit po vazhdojnë hetimet në prokurorinë e Berlinit kundër dy diplomatëve gjermanë dhe një ish-punonjësi shqiptar të ambasadës gjermane në Tiranë. Mendohet se janë bërë abuzime me vizat në të paktën 350 raste. Se sa i besueshëm është informacioni që ka marrë BND-ja në tetor të vitit 2004 për lidhje të mundshme të agjentit gjerman me krimin e organizuar, kjo nuk dihet. Burimi është shqiptar dhe shumë i turbullt, thuhet mes të tjerash në një tjetër gazetë, atë të përditshme gjermane “Sueddeutsche Zeitung”.

Fakt është, që autoritetet gjermane nuk kanë bërë dot autopsi, pasi trupi i kufomës ishte djegur. Një drejtues gjykate nga Berlini i ka thënë revistës FOCUS, se BND-ja nuk ka dhënë informacione për vdekjen e bashkëpuntorit. Prandaj edhe nuk ka patur hetime për këtë çështje.

Sipas informacioneve të gazetës së përditshme Sueddeutsche Zeitung, shefi i BND-së, August Hanning, i cili gjatë vitit të kaluar është ankuar vazhdimisht për krimin e organizuar shqiptar, madje duke e quajtur atë edhe më të rrezikshmin në Evropë, nuk ka qenë dakord për dërgimin e agjentit Villy Vajcel/it me shërbim në Tiranë. Ekspertët e konsiderojnë punën e BND/së në Tiranë si shumë të vështirë dhe robuste.

Villi Vajcel, ndryshe i njohur edhe me emrin Villi Liesmann, në qarqet e brendshme të BND/së konsiderohej si i dobësuar. Vite më parë ai ishte bërë i famshëm, me rolin kryesor që luajti në një nga inskenimet më spektakolare të shërbimit sekret gjerman: Në vitin 1994 Vajcel kishte arritur të tërhiqte në drejtim të Gjermanisë trafikantë me lëndë nukleare, të cilët pastaj ishin kapur e dënuar. Tre vjet më vonë, Vajcel e kishte paguar këtë me një gjobë prej 9 mijë markash për dëshmi të rreme në gjyq.

Në Sueddeutsche Zeitung botohet edhe një tjetër hollësi nga jeta e “Bondit” gjerman: Pa u hedhur poshtë teza e prostitutave, thuhet se në shtëpinë e Vajcelit ishin gjetur rroba grash. Sipas gazetës agjentit 49 vjeçar i pëlqente të dilte natën si transvestit.