1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Disa nga vendbanimet serbe në Kosovë kthehen në arenë protestash

Bekim Shehu / Prishtinë3 Tetor 2008

Serbët kundërshtojnë vendosjen e misionit të BE-së, EULEX në Kosovë sepse ky do të respektojë Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila për ta është e papranueshme.

https://p.dw.com/p/FT85
Mitrovicë, Fotografi arkivi
Mitrovicë, Fotografi arkiviFotografi: AP

Marko Jakshiq, nga Këshilli Kombëtar i serbëve të Kosovës e shpjegon kështu protestën e serbëve: "Jemi kundër misionit te BE-së EULEX-it, sepse ai është një mision fantom i cili ka për qëllim grabitjen e hapësirave në të cilat ne jetojmë, marrjen e shtëpive tona dhe plaçkitjen e territorit tonë". Kjo është arsyeja, pse sipas tij serbët e Kosovës kundërshtojnë misionin i cili ka për qëllim instalimin e planit të Marti Ahtisaarit, që parasheh krijimin edhe të një shteti shqiptar në Ballkan.

Protesta më e madhe sipas policisë u zhvillua në veri të Mitrovicës ku kanë marrë pjesë rreth një mijë persona. Protesta është zhvilluar e qetë dhe nuk është shënuar ndonjë incident. Protestat e sotme të serbëve u mbajtën vetëm një ditë para se gjykatat të veri të Mitrovicës të filojnë punën. Që nga shpallja e pavarësisë gjykatat në këtë pjesë janë jashtë funksionit.

Zëdhënësi i policisë, Veton Elshani i tha DW se organet e rendit nuk kanë shtuar masat e sigurisë në veri, por policia do të jetë e vëmendshme: "Më herët janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që situata e sigurisë të mbahet nën kontroll sepse të gjithë e dimë se ajo pjesë është e ndjeshme dhe mund të ketë probleme, por tash për tash nuk ka indikacione se gjendja mund të eskalojë," thotë zëdhënësi Elshani.

Sidoqoftë, ditën e premte UNMIK-u ka njoftuar se do fillojnë punën gjykatat në veri të Mitrovicës, por me kapacitete të limituara. Më vonë sipas tyre aty do të fillojnë punën edhe gjykatës të tjerë shqiptarë dhe serbë dhe më këtë do të demonstrohet se edhe ne këtë pjesë të Kosovës duhet të respektohet rendi dhe ligji.