Demonstratat e spanjollëve një hap i rëndësishëm | Evropa | DW | 13.03.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Demonstratat e spanjollëve një hap i rëndësishëm

Pas atentateve me bomba në Madrid ne të gjithë Spanjën dolën për të demonstruar kundër terrorit dhe dhunës rreth 11 milionë qytetarë. Demonstruesit shprehën me këtë akt jo vetëm një shenjë uniteti, por bënë edhe një hap me të cilin treguan se e kapërcyen gjendjen e shokut që i kishte kapluar pas atentatit.

Pamje nga aksionet e protestës në Madrid

Pamje nga aksionet e protestës në Madrid

Demonstratat ishin mjaft mbresëlënëse. Miliona spanjollë dolën në rrugë anë e mbanë vendit. Sidomos në Madrid duket se dolën në rrugë thuajse të gjithë banorët. Edhe politikanët spanjollë dhe ata evropianë e mbështetën fort njëri-tjetrin duke treguar unitet. Eshtë mëse e kuptueshme që veprime të tilla demonstrative nuk do t'u bëjnë përshtypje terroristëve, as atyre të Etës dhe as atyre të Al Kaidës. Dhe për sa kohë do të ketë akte të tilla terroriste, si ky i fundit në Spanjë, për aq kohë kriminelë të tillë do ta ndjejnë veten më të fortë sesa masa sado e madhe e paqedashësve.

E megjithatë demonstrimi i unitetit dhe i dëshirës për paqe, edhe pse i pamjaftueshëm, është patjetër i domosdoshëm. Sepse në rast se në vend të demonstratave të tilla njerëzit do të reagonin me trëmbje, ligështi apo agresion, atëhere terroristët do të kishin goditur edhe të tjerët që nuk ranë viktima të atentatit.

Demonstruesit në Madrid mbanin në dorë parrulla në të cilat shkruhej "Tani ne jemi më të bashkuar se kurrë". Le të shpresojmë se këtë parrullë e kanë lexuar edhe politikanët që ishin rreshtuar bashkë me demonstruesit. Kjo sepse përvoja me demonstratat kundër terrorit të Etës tregon se uniteti kaq i domosdoshëm në luftën kundër terroristëve shpesh shpërbëhet mjaft shpejt. Po ashtu që prej luftës në Irak ne e dimë se pretendimi se ky apo ai shtet ka në dorë recetën më të mirë në luftën kundër terrorizmit mund të çojë në dasi të thella edhe në arenën ndërkombëtare.

Por elementi më vendimtar i demonstratave, sidomos i asaj të Madridit, ishte se qytetarët duket se e kapërcyen shokun që pësuan më 11 mars. Pas dy ditëve heshtjeje dhe melankolie ata gjetën sërish një gjuhë të përbashkët për të dalë në demonstrata. Dalja e përbashkët në rrugë iu dha atyre me siguri ndjenjën e të mosqenit vetëm por në grup. Kjo u dha atyre sidomos mundësinë për të ndërmarrë më në fund diçka.

Edhe pse shoku ende nuk është përtypur si duhet dhe frika me siguri që nuk është zhdukur, me demonstratat ata ndërmorën një hap të rëndësishëm. Sepse kush ndjehet në një gjendje të vazhdueshme shoku, ai është varrosur për së gjalli. Këtë e ndjenë edhe madridasit. Dhe ata nuk donin t'u jepnin terroristëve ndjenjën e triumfit. Me demonstratat e tyre spanjollët nuk demonstruan sa vetëm kundër atentateve të 11. marsit dhe as për botën, por në radhë të parë për veten. Dhe kjo është më e rëndësishme se të gjitha të tjerat.

  • Data 13.03.2004
  • Autor Oliver Glaap
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArI5
  • Data 13.03.2004
  • Autor Oliver Glaap
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArI5