1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Cili ishte çelësi i suksesit të Berishës?

Bahri Cani8 Shtator 2005

Eksperti për Evropën Juglindore, Franz- Lotar Altman pohon për Deutsche Welle, se fitoren e Berishës e ndihmuan vetë socialistët

https://p.dw.com/p/Aqiq
Franz-Lothar Altmann
Franz-Lothar Altmann

Pas zgjedhjeve të vitit 2001, përfaqësuesi i Fondacionit për Shkencë dhe Politikë në Berlin, Volf Oshlis, për liderin e atëherëshëm opozitar pohonte: "Sali Berisha është fajtor për shkatërrimin e Shqipërisë. Berisha anjëherë nuk e ka pranuar humbjen në zgjedhje."
Vetëm katër vjetë më vonë, demokratët dhe aleatët e Berishës shënuan fitore në zgjedhjet parlamentare. Franc - Lotar Altman, udhëheqës i seksionit për Evropën Juglindore, nga i njëjti Fondacion thotë: "Shpresoj se Berisha gjatë këtyre viteve ka mësuar diçka më shumë. Befasia më e madhe për mua ishte kthimi i një numri të madh të bashkëpunëtorëve të dikurshëm të tij, të cilët së bashku me Berishën zhvilluan edhe fushatën elektorale. Do të thotë, Berisha ia doli t'i bindë këta njerëz se ka mësuar nga gabimet e kaluara dhe se do të përpiqet që gjërat t'i zgjidhë ndryshe. Këtu në radhë të parë mendoj në Genc Pollon dhe ekspertin e ekonomisë, Genc Ruli".
Altman pohon se fitores së Berishës i ka kontribuar në masë të madhe edhe vetë qeveria e mëparshme e kryeministrit Nano, e cila humbi besimin e popullit, për shkak të korrupsionit dhe thellimit të varfërisë."
Kryeministri i ri i Shqipërisë Sali Berisha ka dhënë shumë premtime të qarta gjatë fushatës elektorale. Në radhë të parë për luftimin e korrupsionit dhe kriminalitetit dhe për përmirësimin e gjendjes ekonomike. Mirëpo, shtrohet pyetja, nëse Berisha me të vërtetë ka shanse për luftë të denjë kundër "kancerit", siç ka pohuar vetë ai, si dhe dukurive tjera negative?
"Kjo në të vërtetë është edhe pyetja më e rëndësishme, sepse duhet konstatuar sa të thella janë rrënjët e këtyre fenomeneve negative në strukturat e vendit. Megjithatë, mendoj se një qeveri serioze do të kishte sukses. Shpresoj se Berisha ka nxjerrë mësime nga e kaluara, sepse dështimi eventual në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe si për zbutjen e varfërisë, do të thoshte humbje përgjithmonë e partisë së tij", pohon Altman.
Në kohën kur ishte president, Sali Berisha dhe Qeveria e tij nuk hezitonin të burgosnin edhe kundërshtarë politikë. Premtimi për luftë kundër korrupsionit dhe kriminalitetit, mund të nënkuptojë edhe arrestime të reja, ndoshta edhe të politikanëve.
"Pikërisht këtë duhet ta bëjë, në qoftë se Berisha synon që t'i besohet dhe do t'i realizojë premtimet e dhëna. Është kontestuese vetëm se sa Berisha do të ketë mbështetjen e policisë, e cila do të drejtohet prej një ministri relativisht të ri, dhe sa gjykatat janë në gjendje të funksionojnë si duhet. Ende nuk dihet se si është gjendja në këto struktura, të cilat kanë nevojë për reforma - në veçanti gjykatat", thekson Altman.
Një rol shumë të rëndësishëm në zhdukjen e korrupsionit dhe kriminalitetit, mund të luajë mbështetja që Berisha do të ketë tek strukturat partiake dhe partnerët në koalicion. Ndërsa përsa i përket shanseve të Shqipërisë për integrimnë strukturat euroatlantike, Altman thotë se edhe kjo varet prej Berishës.
"Kjo varet pikërisht prej politikës së Berishës dhe vendosmërisë së tij për të luftuar korrupsionin dhe kriminalitetin. Varet prej reformimit të administratës së shtetit, gjykatave dhe plotësimit të kushteve të tjera, të cilat deri tani kanë penguar nënshkrimin e marrëveshjes së asociim - stabilizimit me Bashkimin Evropian. Këto mangësi kanë ndikuar që edhe Nato të ketë rezerva ndaj Shqipërisë."
Në rrugën e integrimit të Shqipërisë në strukturat euroatlantike, qeverisë Berisha nuk i duhet vetëm mbështetja brenda vendit e partive në koalicion, e madje edhe e opozitës, por edhe mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare. A do t'a ketë ai këtë mbështetje?
"Në fillim do të pritet ca kohë. Do të shikohet në se Berisha do t'i realizojë premtimet e dhëna për luftimin e korrupsionit dhe kriminalitetit. Në qoftë se në muajt e parë tregohet se Berisha e ka seriozisht, me siguri që nuk do të mungojë as mbështetja. Mirëpo në këtë moment ka rezerva sepse Berisha, nga e kaluara njihet si një partner shumë i papërshtatshëm. Pra e gjitha varet prej tij", pohon eksperti gjerman, Franc Lotar Altman.